Zëdhënësi i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), Tommaso Della Longa tha se situata humanitare në Gaza është "përtej katastrofës" dhe se niveli ku ka arritur uria i lë njerëzit të pashpresë.

Longa në një prononcim për Anadolu foli lidhur me pamjaftueshmërinë e dërgimit të ndihmave humanitare në Gaza, sistemin shëndetësor i cili ka ardhur në prag të kolapsit dhe për urinë e përjetuar.

"Ka kamionë të ndihmave që hyjnë në Rripin e Gazës. Por, pyetja tani është kjo: 'A është e mjaftueshme', jo nuk është", tha Longa i cili nënvizoi se numri i kamionëve me ndihma duhet të jetë shumë më tepër.

Ai vuri në dukje se ka problem lidhur me qasjen e sigurt në të gjithë Rripin e Gazës dhe tha se "Se situata humanitare në Gaza është përtej katastrofës". Longa potencoi rëndësinë për t'i dhënë përgjigje në mënyrë të drejtë dhe dinjitoze nevojave të popullit të Gazës. Sipas tij, në Gaza ka nevojë për më shumë ndihma humanitare dhe se ka nevojë për qasje të sigurt për dërgimin e ndihmave humanitare.

- "Veriu i Gazës është pothuajse i paarritshëm"

Zëdhënësi Longa rikujton se hyrja e ndihmës humanitare për Gazën është bërë me marrëveshje mes palëve dhe bashkëbiseduesve rajonalë dhe ndërkombëtarë.

"(Për hyrjen e ndihmave në Gaza) Sigurisht që kemi nevojë gjithnjë e më shumë për përpjekje diplomatike. Në një mjedis ku mund të arrijmë në të gjithë Rripin e Gazës, fillimisht duhet të ndalen konfliktet për të krijuar zona të sigurta humanitare. Nëse duhet të jepet shembull, veriu i Gazës ku jetojnë mijëra njerëz është pothuajse i paarritshëm. Situata e shërbimeve shëndetësore atje është shqetësuese", deklaroi Longa.

Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane dhe ajo Palestineze po bëjnë më të mundurën e tyre në terren, theksoi Longa duke shtuar se shqetësimet e tyre ua kanë përcjellë palëve në bisedimet dypalëshe.

Ai nënvizon se numrin më të madh të kamionëve me ndihma e kanë dërguar në Gaza gjatë armëpushimit të arritur mes palëve. "Kjo situatë tregon rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike. Në këtë mënyrë punonjësit e ndihmës humanitare mund të kryejnë punët e tyre", u shpreh Longa.

 

- "Kemi nevojë për më shumë qasje dhe ndihmë humanitare"

Në pyetjen nëse "ka rrezik që spitalet në Gaza të ndërpresin shërbimet?" Longa tha: "Sigurisht që ka një rrezik të tillë. Më pak se 30 për qind e objekteve shëndetësore në Rripin e Gazës vazhdojnë të ofrojnë shërbim me vështirësi. Sistemi shëndetësor ka rënë në masë të madhe. Me të vërtetë duhet të falënderojmë mjekët dhe infermierët atje për përpjekjet e tyre. Me shumë mundësi po të mos ishin ata sistemi shëndetësor do të kishte rënë prej kohësh".

"Sistemi shëndetësor ndodhet në një situatë shumë të rëndë. Rruga e vetme për ta përmirësuar këtë është përgjigjja ndaj kërkesave tona. Kemi nevojë për më shumë qasje dhe ndihmë humanitare. Sigurisht që u bëjmë thirrje të gjitha palëve se spitalet, ambulancat dhe punonjësit e shëndetësisë duhet të mbrohen dhe të respektohen", tha ai.

Longa tha se nevojat humanitare do të vazhdojnë të rriten për sa kohë që konfliktet në Gaza vazhdojnë dhe se situata sa vjen e përkeqësohet çdo minutë. Ai potencoi situatën e përjetuar lidhur me urinë në Gaza. "Jemi në një periudhë ku në javët dhe muajt e fundit prindërit në Gaza e kanë shumë të vështirë, madje pothuajse të pamundur që të gjejnë ushqim për fëmijët e tyre", thotë ai.

Zëdhënësi Longa shtoi se në Gaza jetojnë rreth 2.2 milionë civilë dhe se 1.8 milion persona janë zhvendosur shumë herë.

"Banorët e Gazës shumë herë detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre pa marrë asnjë gjë me vete. Banorët e Gazës i kanë zhvendosur 5-6 herë. Në të vërtetë nuk ka as edhe një vend ku ata mund të plotësojnë nevojat e tyre. Së bashku me ujin, shëndetësinë, mbrojtjen edhe ushqimi është problem i madh për ata", rikujtoi ai./aa