Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha sot se në dokumentin strategjik të Sigurisë Kombëtare duhet të jetë pjesë dhe lufta ndaj korrupsionit.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Basha tha se korrupsioni është kancer i shoqërisë dhe duhet luftuar, duke qenë pjesë edhe dokumentit strategjik të sigurisë kombëtare, që u votua sot në Kuvend. Basha po ashtu akuzoi dhe deputetët e opozitës pjesë të “Rithemelimit” dhe mbështetës të Gazment Bardhit, që sipas kreut të PD, po dobësojnë rolin e opozitës për interesa të ngushta personale.

“Dita e sotme ka një monotoni dhe një të re. Monotonia i intereson Edi Ramës. Nuk pati asnjë akt të opozitës për t’i kërkuar llogari Edi Ramës dhe qeverisë. Ky teatër do të ishte i pamundur nëse deputetët e opozitës do të vinin interesat e qytetarëve në plan të parë

Sot është miratuar një dokument që quhet strategjia e sigurisë kombëtare. Strategjia duhej t’i nënshtrohej një debati politik e publik. E pafalshme që një vend i NATO-s të zvarritet me dokumente burokratikë”, tha Basha në nisje të fjalës së tij përpara gazetarëve.

Basha kujtoi gjatë fjalës së tij dhe amendamentin për Kosovën.

“Amendamenti për t’i ardhur në ndihmë Kosovës është ende në rendin e ditës, por sot u hodh poshtë një amendament që në strategjinë kombëtare të ketë një parashikim të përhershëm të kontributit për Kosovën. Akti i sotëm është dëshpërues. Është dëshpërues bataku ku noton kjo qeveri. Sot armiqtë tanë e të Kosovës fërkojnë duart”, tha Basha.

“Votimi sot do të shtronte rrugën për amendimin e buxhetit për të alokuar 50 milion euro ndihmë ushtarake për Kosovën. Pasojat janë fatet, të drejtat, pronat, jetët e shtetasve të Shqipërisë dhe të Kosovës. E para që ndjej është ndarja e neverisë së thellë për papërgjegjshmërinë e hedhjes poshtë pa asnjë diskutim të këtij amendamenti”, shtoi Basha.

“Amendamenti dytë ka lidhje me zyrtarët e korruptuar. Ata përbëjnë një shënjestër të butë për faktorë të tretë për të depërtuar me politikat e tyre. Rreziku më i madh për vendet është sabotimi nga brenda për sigurinë. Korrupsioni është jo thjesht një kancer për vendin e ekonominë, por është një rrezik permanent për sigurinë kombëtare. Në strategjinë kombëtare të sigurisë duhet të shtrohet lufta ndaj korrupsionit si zotim. Këtë kemi kërkuar me amendamentin tonë”, tha më tej Basha.

Kreu i Partisë Demokratike akuzoi Rithemelimin dhe grupin që mbështet Gazment Bardhin, si një grusht njerëzish që po ndihmojnë mazhorancën, duke mos lejuar opozitën të ushtrojë detyrën e saj.

“Nuk ka ndodhur në asnjë vend që të dalë ish-zëvendëskryeministri e të akuzojë kryeministrin për aferën e inceneratorëve dhe të mos ndodhë asgjë. Janë akuza që i thotë numri 2 i tij dhe jo opozita. Një grusht njerëzish nën radhët e opozitës kanë vënë interesat e tyre personale mbi interesat e vendit e të qytetarëve dhe e kanë dobësuar rolin e opozitës. Në vend të ngjallë besim, ngjall zhgënjim. Në vend të mbushë bulevardet, me zor mbushin rrugicat”, tha Basha.

“Ne nuk jemi pjesë e kësaj. Kemi hartuar një strategji dhe po bëjmë gjithçka sa na takon ne që PD mos të shkatërrojë ndjesinë e shpresës por të ngrejë një të tillë”, tha Basha./ata