Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu, në një interviste televizive tha sot se nëse komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore nuk arrin konsensus, adresimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të diskutohen dhe miratohen tek Komisioni i Ligjeve.

Spas Gogut, Partia Socialiste do të vazhdojë të sigurojë që vendi të shkojë në zgjedhjet normale, demokratike dhe të ndershme.

“Ne do të shohim se çfarë produkti do të sjellë komisioni. Komisioni është ngritur për një produkt, nëse ai produkt do të jetë konsensual, do ta vendosi seanca plenare. Nëse produkti nuk do të jetë konsensual, PS do të vazhdojë të sigurojë që vendi të shkojë në zgjedhje normale, me të gjitha rregullimet ligjore”, tha Gogu.

“Ne përpiqemi të kuptojmë shumë mirë jurisprudencën kushtetuese që nuk e prek sistemin. Ne përpiqemi që të zbatojmë vendimet kushtetuese dhe të gjitha sugjerimet e OSBE-ODIHR. Për aq kohë sa ato janë tërësisht teknike, për aq kohë sa të gjitha dëgjesat që kemi bërë, qoftë me grupet e interesit, dhe këtu ne po presim edhe ekspertët që të mbyllin vendimet e tyre, pasi kanë dhe një takim me OSBE-ODIHR, unë besoj që s’ka vend për ndryshim sistemi”, theksoi ai.

“Ajo që ka vend, është puna për ndreqjen e atyre evidentimeve kushtetuese dhe rekomandimeve të OSBE për depolitizimin e administratës zgjedhore, numëruesve e me radhë. Ajo çfarë shumica socialiste do të sigurojë është që shqiptarët të kenë zgjedhje të lira, të drejta dhe të pranueshme nga faktori ndërkombëtar”, u shpreh Gogu.

Sipas deputetit socialist, “në rastet kur komisioni i Posaçëm nuk arrin dot konsensusin, për shkak të kaosit në kampin tjetër, reflektojnë fare mirë atë që populli e quan “zihen për mustaqet e Çelos”. Kur konsensusi mungon për shkak të tyre, ne do vazhdojmë me instrumente të tjerë parlamentarë, që janë komisionet e përhershme të Kuvendit të Shqipërisë”, tha Gogu.

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste pranoi se për listat e hapura mazhoranca ka dakordësi.

“Ne e kemi thënë, që sistemi që ne kemi sot, mund të votojë edhe me lista të hapura. Nëse do kenë vullnet. Edhe Kushtetuta ka një formë rezerve mes parimit të votës preferenciale dhe parimit të meritës historike politike, por nëse do të gjenim një formulë të tillë, jemi të hapur. Ne duam që vota të jetë e lirë, që qytetari ta çojë atje ku dëshiron qytetari. Dhe këtë e sigurojmë që ka për të ndodhur”, tha Gogu.

Sa i takon komisioneve hetimore, Gogu tha se Partia Socialiste nuk negocion, por zbaton Kushtetutën.

“Parlamenti në thelbin e fjalës së tij ka bashkëbisedimin. Që palët të bashkëbisedojnë, ky është parlamentarizimi. Kjo ka munguar jo për fajin e shumicës socialiste. Opozita ka hyrë në një kaos të vetëkrijuar, që po e ndjekin me besnikëri dhe s’ka lidhje me parlamentarizmin, por me jetën e tyre politike”, tha Gogu.

“Ju e keni parë, që të gjithë kaosin që kanë brenda forcës së tyre politike, u përpoqën ta sjellin edhe në Kuvend. Ajo çfarë unë uroj është që ata të kenë ardhur në vete dhe të përdorin thelbin e parlamentarizmit, që është bashkëbisedimi. Për sa i përket plotësimit të kërkesave, ne se kemi këtë detyrë. Të drejtat kushtetuese duhen zbatuar”, nënvizoi ai.

“Unë s’jam në dijeni të ndonjë negociate për këtë gjë. Ajo që unë jam në dijeni, është që PS që në ditën e parë, për shkak se ka qenë një parti që e ka hequr në kurriz eliminimin e të drejtës për ngritjen e komisioneve hetimore, e kemi zbatuar që në ditën e parë që kemi ardhur. Ne kemi pranuar dhe komision hetimor për hetimin e zgjedhjeve. Ne si mohojmë të drejtat kushtetuese, ato zbatohen”, tha Gogu.

“Ajo çfarë ne s‘tolerojmë, është që të ngrihen komisione hetimore jashtë kornizës kushtetuese. Kjo s’ka ndodhur deri më tani. Ne s’mund të hamendësojmë, që opozitës i është mohuar një e drejtë dhe për këtë arsye ne po negociojmë. Ne s’kemi asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese ku thotë se i është mohuar opozitës e drejta për komision hetimor. Kjo s’ka ndodhur, se kemi këtë vendim”, nënvizoi Gogu.

Gogu tha se ndërkombëtarët nuk kanë lidhje me diskutimet mes mazhorancës dhe opozitës. Për Gogun, PS ka besëlidhje me qytetarët.

“Ajo çfarë Partia Socialiste bën është produkt, punon dhe vendos në tavolinën e kuvendit punë, kjo është amnistia. E vendosim në tavolinë, kushdo që do t’i bashkohet, patjetër që e mirëpresim. Por kjo nuk është shkelje syri apo problemi ynë. Nuk i bën PS pazaret. As për amnistinë penale, ne vendosim produkt. Ju patë, që produkti ishte aq i mirë, saqë vendosi vëmendjen e kolegëve opozitarë që diskutuan dhe propozuan amendamente. Nuk hymë në bisedime, apo pazare. Janë keqkuptuar kolegët”, përfundoi Gogu, i cili tha se edhe Reforma Territoriale do të jetë në një të ardhme të afërt në tryezën e Kuvendit./ata