Zhvillohet nesër në Tiranë, Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Në samit do të jetë i pranishëm Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore:

– Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian;

– Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal;

– Përshpejtimi i reformave themelore;

– Rritja e ndihmës financiare.

BE-ja do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij.

Fillimisht Kryeministri Rama do të presë në ambientet e Pallatit të Kongreseve, liderët pjesëmarrës në këtë samit, ndërsa pritet të mbajë edhe një fjalë hapëse bashkë me Komisionerin Várhelyi.

Sipas axhendës së publikuar në medie, paneli i parë i diskutimeve do të fokusohet te hyrja në tregun e përbashkët, ndërsa paneli i dytë mbi planin e rritjes.

Po ashtu, në kuadër të këtij samiti do të nënshkruhet edhe një marrëveshje në fushën e arsimit.

Rreth orës 12:30, kryeministri Rama dhe komisioneri Várhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në 13 dhjetor 2023, në Bruksel u mbajt samiti BE-Ballkani Perëndimor ku u diskutua perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit europian.

Në përfundim të këtij samiti u miratua një deklaratë ku BE-ja ripohoi angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe kërkoi përshpejtimin e procesit të anëtarësimit./ata