Kreu i Komisionit Zgjedhor në Pakistan, Raja Sikandar Sultan, tha se rezultatet e zgjedhjeve janë duke u përpiluar dhe ato do të shpallen “sa më shpejt të jetë e mundur”.
"Unë jam i sigurt se oficerët tanë të votimit do të përpilojnë dhe transmetojnë rezultatet sa më shpejt të jetë e mundur", tha Sultan në një video-mesazh dhe përgëzoi kombin për mbajtjen "e suksesshme" të zgjedhjeve.
Mesazhi i tij erdhi pasi partitë politike thanë se rezultatet po vijnë "ngadalë".
"Rezultatet janë tepër të ngadalta. Megjithatë, rezultatet fillestare janë shumë inkurajuese! Kandidatët e PPP-së dhe të pavarurit me të cilët kemi bashkëpunuar duket se po ecin mirë! Le të shohim se cili është rezultati përfundimtar", tha kryetari i Partisë Popullore të Pakistanit (PPP), Bilawal Bhutto Zardari.
Syed Zulfi Bukhari, një udhëheqës i lartë i partisë së ish-kryeministrit të burgosur, Imran Khan, Tehreek-e-Insaf (PTI), tha: "Numërimi po ndalet dhe rezultatet po ndryshojnë në shumë vende! Kryesisht Punjab".
Miliona votues me të drejtë vote hodhën votën e tyre në zgjedhjet e përgjithshme për të zgjedhur një qeveri të re për pesë vitet e ardhshme mes sigurisë së shtuar dhe pezullimit të shërbimeve celulare dhe të internetit. Dita e votimit dëshmoi disa sulme me bomba që rezultuan në të paktën 12 të vdekur./aa