Një 48-vjeçar është vrarë me armë zjarri pasditen e djeshme në Prizren.

 

Policia njofton se ngjarja ka ndodhur në lagjen Arbana në Prizren, teksa viktima është identifikuar si Beqir Morina, 48 vjeç.

 

I dyshuari është identifikuar si Aziz Gashi. Sipas policisë, krimi ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes dy personave.

 

Për kapjen e të dyshuarit, njësitet policore kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme.

 

“Prizren 03.09.2023-18:45.

 

Dyshohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me viktimën mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.

 

Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, prokurori kujdestar dhe ekipi mjekësor i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi, ndërsa njësitet policore kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së dyshuarit i cili është në kërkim policor. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime intensive”, thuhet në raport.

 

Gjithçka dyshohet se ndodhi pak para orës 19:00, kur u dëgjuan disa krisma armësh nga një makinë në lëvizje. I dyshuari Gashi, i cili është nga fshati Sferkë i Klinës dyshohet se gjuajti shtatë herë në drejtim të viktimës, të cilin e la të vdekur në vend.

 

Sipas një dëshmitari të rastit, i cili thotë se e ka parë momentin kritik, 50-vjeçari ka kryer aktin në prani të gruas dhe fëmijës së viktimës.