Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka dhënë për herë të parë një intervistë për mediat amerikane, me gazetarin Tucker Carlson ku ka folur për luftën në Ukrainë në prag të 2 vjetorit të nisjes së sulmeve të Rusisë.

Putin iu drejtua Kongresit Amerikan duke u bërë thirrje që nëse vërtet duan përfundimin e luftës në Ukrainë, duhet të ndalojnë furnizimin me armë.

Sipas tij, një plan për paqen ishte thuajse i finalizuar mes 2 vendeve por u hodhën poshtë nga Ukraina e cila vijoi t’i bindej urdhrave të perëndimit.

“Planet e paqes pothuajse ishin finalizuar, por Ukraina i hodhi ato dhe iu bind urdhrave të Perëndimit për të luftuar Rusinë deri në fund”- tha Putin.

Putin nuk iu përgjigj pyetjes nëse është i kënaqur me territoret e aneksuara, duke vazhduar të fliste për denazifikimin. Mes të tjerash presidenti rus u shpreh se ai vendosi të ndërmarrë veprime pasi udhëheqja e Ukrainës “deklaroi se nuk do të zbatonte marrëveshjet e Minskut”.

“Ne kemi folur për këtë gjatë gjithë kohës me SHBA-të. Ne i bëmë thirrje udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane që të ndalojnë menjëherë këtë zhvillim, të zbatojnë marrëveshjet e Minskut”, deklaroi Putin.