Biznesmenit të koncesionit të sterilizimit Ilir Rrapaj, i janë sekuestruar dy kompani.

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e 40% të kuotave të kompanisë përfituese të koncesionit të sterilizimit, “Sani Service”, që përbëjnë pjesën dominuese të aksioneve nën zotërimin e një pronari të vetëm. Kuotat zotërohen nga “Investital Llc”, në pronësi të biznesmenit Ilir Rrapaj.

 

Gjithashtu, janë sekuestruar edhe 100% të kuotave të shoqërisë “Globalsher” nën pronësi po të Rrapajt dhe dy llogari bankare të kësaj firme në një bankë të nivelit të dytë, me balancë përkatësisht 285,412,48 Euro dhe 113,610.93 Lek.

Urdhri i sekuestros së SPAK

Nën sekuestro kanë përfunduar edhe 13 automjete të “Globalsher” shpk, nga të cilat 3 të marra me qira dhe 9 në pronësi të kësaj firme, si dhe një apartament nën pronësi të së njëjtës shoqëri.

Përmes “Globalsher”, Rrapaj ka përfituar shuma të konsiderueshme si nënkontraktore e firmës koncesionare.

Ilir Rrapaj u arrestua gushtin e vitit të kaluar për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, në bashkëpunim, në procedimin penal për koncesionin e sterilizimit të lidhur mes “Sani Service” dhe Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Ilir Beqaj. Bashkë me Rrapajn u vu në pranga edhe ish ish-zëvendësmistri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Që prej asaj kohe, të dy janë në qeli nën masën e sigurimit “arrest me burg”.

Hetimet gati 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanisë së Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini. Referuar hetimeve, vlera e koncesionit që llogaritet rreth 100 milionë euro, është fryrë fiktivisht dhe dhjetëra milionë euro. Para që deri më tani, prokuroria nuk e ka zbuluar se në xhepat e kujt kanë shkuar.

Lidhur me çështjen, nën hetim me masën e detyrim paraqitjes është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Opozita ka denoncuar publikisht me këtë akuzë Beqaj po amnistohet pasi sipas tyre, përfshirja e tij në këtë aferë është shumë më e thellë. Sipas Gjykates se Posaçme, Beqaj i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën 8 697 000 000 Lekë.

Ndërkohë, 6 zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë, ashtu si Beqaj janë nën masa më të lehta sigurie se Rrapaj e Rrjepaj.