U hap sot zyrtarisht baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë.
Ceremonia e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes nisi me performimin e himneve të NATO-s dhe të Shqipërisë nga orkestra Frymore e Forcave të Armatosura.
Në këtë aktivitet marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësues të Aleancës.
Në nisje të ceremonisë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se ky është investimi më madhor i NATO-s në Shqipëri dhe do të shërbejë si një “bazë ajrore taktike dhe operacionale” për Aleancën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
“Sot deklarojmë zyrtarisht hapjen e bazës së NATO-s në Kuçovë. Mbi këtë pistë, MIG-u i fundit ka fluturuar pothuaj 19 vite më parë. Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve të NATO-s, mbrojtësve të qiejve tanë, në dekadën më të rrezikshme të historisë moderne të rajonit dhe të mbarë Europës”, nënvizoi Peleshi.
Ministria shtoi se “ndjenja e krenarisë që sot provojmë është mëse e ligjshme, jo vetëm për rezultatin e dukshëm të një ekipi të jashtëzakonshëm ekspertësh dhe teknikësh që kanë punuar ditë e natë për ringritjen e kësaj baze, por edhe për faktin se një vend i vogël si Shqipëria ka nderin dhe privilegjin t’i ofrojë Aleancës këtë aset të vyer në skemën e saj të mbrojtjes kolektive”.
Ai u shpreh se “një ekip i jashtëzakonshëm ka punuar ditë e natë për ngritjen e kësaj baze”.
Ministri tha se Kuçova do të shërbejë si baza kryesore për Forcat tona Ajrore, për të cilat vëmendja dhe investimi nuk do të rreshtin deri në krijimin e një flote dinjitoze në shërbim të mbrojtjes së popullsisë sonë, por edhe të aleatëve tanë.
“Helikopterët ‘Black Hawk’ dhe dronët ‘Bayraktar’, të siguruar me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Turqisë, janë aktualisht në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimin nga kjo bazë. Numri i tyre do të shtohet ndjeshëm, në një të ardhme të afërt dhe për këtë qëllim po punohet fort”, nënvizoi Peleshi./ata