Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo priti në një takim ambasadorin gjerman Karl Bergner, me të cilin diskutoi për disa projekte që po kryhen në këtë qytet.

Demo ndau në rrjetet sociale momente nga takimi, ndërsa theksoi se “Gjermania është një partner i jashtëzakonshëm në disa nga punët e mira që po bëhen në qytet”.

“Një prej tyre është projekti i kanalizimeve që shmang ndotjen në shtratin e Lumit Osum dhe dërgimin e tyre në impiantin e përpunimit të ujërave të zeza. Trajtimi i ujërave të zeza fillon së shpejti dhe i jep zgjidhje përfundimisht ndotjes së lumit Osum”, theksoi Demo.

Kryebashkiaku Demo tha se “disa nga projektet që Gjermania mbështet në qytetin tonë dhe që janë të një rëndësie të lartë: investimet në rrjet për sigurimin e furnizimit 24 orë me ujë të pijshëm, projekti i landfillit rajonal të mbetjeve urbane si dhe projektet e mbështetjes së bizneseve përmes skemave të grandeve dhe formimit profesional”.

Më pas Demo dhe ambasadori gjerman Bergner vizituan Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve Berat.
 
“Qyteti dhe fshatrat që furnizohen nga burimi Bogovës kanë sot 24 orë ujë. Pas zgjidhjes përfundimtare të furnizimit me ujë, jemi përqendruar tek sistemimi i ujërave të zeza dhe ndërtimi i impiantit të trajtimit të tyre. Një investim prej 26 milionë eurosh i Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) do të bëjë të mundur trajtimin e ujërave të zeza dhe dërgimin e tyre në impiantin e përpunimit të ujërave të zeza”, tha Demo.
 
Kjo, shtoi ai, afekton të mënyrë direkte lumin Osum, duke i dhënë zgjidhje ndotjes së shtratit të tij.
 
Ambasadori gjerman Bergner po zhvillon sot një vizitë në qytetin e Beratit./ata