Aktori amerikan Bruce Willis, i konsideruar edhe si legjendë e Hollivudit, është diagnostikuar me demencë frontotemporale, njoftoi familja e tij.

 

Të afërmit e aktorit 67-vjeçar thanë se ai do të largohej nga karriera e tij e suksesshme pasi u diagnostikua me afazi, një gjendje që ndikon në aftësitë e tij njohëse.

 

Afazia është një çrregullim gjuhësor i shkaktuar nga dëmtimi në një zonë specifike të trurit që kontrollon shprehjen dhe të kuptuarit e gjuhës. Afazia e lë një person të paaftë për të komunikuar në mënyrë efektive me të tjerët. Shumë njerëz kanë afazi si pasojë e goditjes në tru.

 

Rumer, vajza e Willis, ofroi një përditësim për shëndetin e babait të saj duke konfirmuar se gjendja e tij ka përparuar dhe atij i ishte dhënë diagnoza e demencës frontotemporale.

 

”Familja jonë donte të fillonte duke shprehur mirënjohjen tonë më të thellë për shfaqjen e pabesueshme të dashurisë, mbështetjes dhe historive të mrekullueshme që kemi marrë të gjithë që kur ndamë diagnozën origjinale të Bruce”, tha Rumer.

 

”Që kur e shpallëm diagnozën e Bruce të afazisë në pranverën e vitit 2022, gjendja e Bruce ka përparuar dhe tani kemi një diagnozë më specifike, demencë frontotemporale (FTD)”, shtoi ajo.

 

”Fatkeqësisht, sfidat me komunikimin janë vetëm një simptomë e sëmundjes me të cilën përballet Bruce. Ndërsa kjo është e dhimbshme, është një lehtësim që më në fund të kemi një diagnozë të qartë”, tha Rumer.

 

Familja e Willis shpjegoi më tej gjendjen në një deklaratë të zgjeruar në faqen e internetit të Shoqatës për Degjenerimin Frontotemporal, në të cilën ata pranuan se demenca frontotemporale (FTD) është një sëmundje e rëndë dhe mund të godasë këdo.

 

Familja shtoi se ata shpresonin që vëmendja e medias për gjendjen e aktorit do të rriste ndërgjegjësimin.