Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, së bashku me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku vizituan nga afër godinën e re të Drejtorisë Vendore dhe Komisariatit të Peshkopisë ku u takuan edhe me efektivët e policisë të cilët operojnë në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër dhe Komisariatin e Peshkopisë.

Zëvendëskryeministrja Balluku duke vlerësuar investimet për përmirësimin e infrastrukturës, të cilat ndikojnë në performancën dhe lehtësimin e punës për punonjësit e policisë tha se ndërhyrja e realizuar ka sjellë një transformim rrënjësor të situatës.

“Ka ndryshuar shumë mënyra edhe sesi sot trajtohen të gjithë efektivët, përmes pagave të reja apo dhe gjithë paketave ndihmëse që Qeveria i ka dhënë. Ministri, jam dëshmitare për këtë, lufton në mbledhjet e kabinetit për të maksimalizuar të gjithë paketën mbështetëse për efektivët. Por nga ana tjetër edhe infrastruktura është shumë e rëndësishme”, u shpreh Balluku.

Zëvendëskryeministrja shtoi më tej se Qeveria Shqiptare ka mbështetur në vijimësi punonjësit e policisë dhe do të vijojë me të tjera hapa për të vlerësuar dhe shpërblyer punën dhe mundin e uniforma blu. “Qeveria shqiptare ka kohë që investon tek trupa policore, tek efektivët blu, duke nisur nga formimi, përmes akademisë, më pas duke u mbështetur me të gjitha mundësitë, duke u nisur nga vlerësimi financiar që ka ndryshuar ndër vite, apo edhe paketa të tjetra të dobishme siç është dhe kredia e butë për efektivët të cilët duan të kenë një shtëpi dhe të zgjerojnë familjen. Por sot është shumë e rëndësishme për ju për të kryer detyrën, ta kryeni atë në kushte optimale. Është shumë e rëndësishme që të gjitha njësitë, Drejtoritë Vendore, ashtu dhe komisariatet, të përmbushin të gjitha kushtet e Bashkimit Europian dhe të Komitetit të Helsinkit, për sa i përket të gjithë operimeve që ju kryeni në fushën e përgjegjësisë tuaj”, nënvizoi Balluku.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla e cilësoi investimin në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër si të rëndësishëm dhe që e ka shndërruar këtë drejtori në një model përsa përket infrastrukturës. Balla tha se jo vetëm përmirësimi i infrastrukturës, por edhe trajtimi financiar i punonjësve të policisë do të vijojë, teksa shtoi se nga data 1 korrik do të nisë aplikimi i një rritjeje të konsiderueshme pagese për punonjësit e policisë.

“Më e rëndësishmja për ju lidhjet me pjesën e trajtimit financiar. Unë ua kam thënë të gjithëve, përpjekja ime dhe mbështetja e Kryeministrit Rama dhe gjithë qeverisë është që ne të plotësojmë të gjitha nevojat që kemi konstatuar deri më tani. Ju e dini fare mirë që dëshira jonë do të ishte që t’i rrisnim pagat brenda pritshmërive tuaja. Mos harroni që shteti është si një familje dhe duhet që të mendojmë njëlloj edhe për punonjësit e policisë edhe për arsimtarët edhe për punonjësit e shërbimit shëndetësor dhe për të gjithë. Por, ajo që unë dua të ndaj sot me ju është që 1 korriku do të jetë po ashtu një ditë e rëndësishme ku ne do të fillojmë aplikimin e një rritjeje të konsiderueshme page edhe për punonjësit e policisë”, tha Balla./ata