Kryetari i Partisë Demokratike në Kurbin Gjovalin Laska ka akuzuar ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja se po merr peng dhe po kërcënon qytetarët e Kurbinit për t’iu marrë votat.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale Laska thotë se qytetarëve po i merren kartat e identitetit për t’i orientuar votën më 14 maj.
“Dua të bëj një denoncim publik në lidhje me administratën e Bashkisë Kurbin dhe ministrin Ulsi Manja i cili ka sjellë të gjithë drejtorët dhe po merr peng qytetarët e Kurbinit duke i dërguar të Kasmi –Bar Restorant, për t’iu bërë presion çdo ditë. Gjithashtu dua të bëj publike se në Kurbin kanë filluar të mbledhin kartat e të gjitha qytetarëve për t’i mbajtur peng vetë sipas dëshirës së tyre dhe jo sipas dëshirës së qytetarëve dhe punonjësve. Zyra arsimore po bën të njëjtën masakër sepse është vegël e kryetares së bashkisë”, shprehet ai.
Në Bashkinë e Kurbinit janë në garë Majlinda Cara e Partisë Socialiste, e cila kërkon një mandat të dytë në krye të kësaj njësie dhe Bahar Haxhiu i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”.