Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i pyetur sot pas analizës së punës në drejtorinë rajonale të policisë së Dibrës, në lidhje me kapjen e një të shumëkërkuari, tha se “për policinë e shtetit shqiptar nuk ka më asnjë territor, edhe jashtë vendit, që të jetë i paaksesueshëm nga ana jonë”.
“Ne kemi iniciuar, prej disa muajsh një nivel të ri bashkëpunimi me Interpolin dhe gjej rastin të falënderoj Interpolin, edhe në këtë rast, sepse falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Interpol Tirana dhe Interpol Abudabi, ne kemi arritur të identifikojmë dhe natyrshëm të ndalojmë një person shumë të kërkuar nga drejtësia shqiptare. I është dorëzuar palës së Emirateve edhe draftmarrëveshja, e cila do të mundësojë ekstradimet”, u shpreh ai.
“Nuk kemi pasur një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe e shpresoj të ecim sa më shpejt me nënshkrimin e një marrëveshjeje për të mundësuar që çdo person i kërkuar nga drejtësia shqiptare, jo vetëm të ndalohet por edhe të ekstradohet. Gjatë javëve e muajve të fundit kemi pasur disa raste të rëndësishme suksesi, persona të cilët kanë qenë e mbeten në listën e personave në kërkim. Gjatë analizës së sotme jemi fokusuar edhe te personat në kërkim që rezultojnë në listën e DVP Dibër e Kukës”, theksoi ai.
Balla foli edhe për operacionin e RENEA-s në Shkodër.
“Fakt është që DVP Shkodër, me mbështetjen e forcave të repartit RENEA, kanë kryer sot një operacion të rëndësishëm për vënien para drejtësisë së një personi me rrezikshmëri të lartë, mbi të cilin rëndojnë një sërë akuzash të rënda, dhe vlerësoj performancën e forcave të policisë dhe të repartit RENEA në konkludimin me sukses të këtij operacioni. Ajo që vihet re është fakti që koha e rrjedhjes së informacionit, gjatë operacioneve policore, ka mbaruar. Rezultatet e fundit tregojnë që Policia e Shtetit po kryen operacione të rëndësishme me sukses të plotë”, tha Balla./ata