Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë të paraqesë një plan ushtarak për evakuimin e civilëve nga Rafah dhe për të mposhtur batalionet e Hamasit atje.

“Është e pamundur të arrihet qëllimi i luftës për eliminimin e Hamasit duke lënë katër batalione të Hamasit në Rafah”, tha zyra e Netanyahut në X.

"Përkundrazi, është e qartë se aktiviteti intensiv në Rafah kërkon që civilët të evakuohen nga zonat e luftimit", tha ai.

“Prandaj, kryeministri Benjamin Netanyahu ka urdhëruar Ushtrinë dhe institucionin e sigurisë që t'i paraqesin kabinetit një plan të kombinuar për evakuimin e popullsisë dhe shkatërrimin e batalioneve”, shtoi zyra.

Zyra e Kryeministrit izraelit nuk ka specifikuar afatin kohor për zhvillimin e këtij plani.

Vlerësimet ndërkombëtare tregojnë praninë e 1,2 deri në 1,4 milionë palestinezëve në Rafah pasi ushtria izraelite detyroi qindra mijëra palestinezë nga pjesa veriore të evakuoheshin në jug.

Dje, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha se “çdo operacion i madh ushtarak në Rafah në këtë kohë, në këto rrethana, me më shumë se një milion, ndoshta rreth një milion e gjysmë palestinezë që po kërkojnë strehim në Rafah, pa konsiderimin e duhur për sigurinë e tyre, do të ishte një fatkeqësi dhe ne nuk do ta mbështesim atë”.

Që nga fillimi i ofensivës tokësore të nisur nga Izraeli në Rripin e Gazës më 27 tetor, izraeli u ka kërkuar banorëve të lëvizin nga veriu dhe qendra në jug të enklavës së bllokuar, duke pretenduar se këto janë zona të sigurta, për të vazhduar bombardimet edhe në këto pjesë.

Deri të premten, ofensiva tokësore arriti në Khan Younis dhe nuk është shtrirë në Rafah, megjithëse ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore dhe granatime të gjera artilerie në vendet në Rafah që nga fillimi i luftës më 7 tetor./aa