Mediat izraelite shkruajnë se më shumë se 350 kufoma janë marrë në Izrael nga Rripi i Gazës që nga fillimi i luftës më 7 tetor.

"Më shumë se 350 kufoma janë transferuar nga Gaza në Izrael që nga fillimi i luftës për ekzaminim nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Abu Kabir, për të verifikuar nëse ato u përkasin pengjeve," pohoi Korporata e Transmetimeve Publike Izraelite (KAN), pa specifikuar vendndodhjet apo varret nga të cilat ushtria izraelite i hoqi kufomat.

Ushtria izraelite ende nuk i është përgjigjur raportimit.

"Në të kaluarën, ushtria izraelite pranoi se kufomat u transferuan nga Gaza për ekzaminim si pjesë e një përpjekjeje për të gjetur kufomat e izraelitëve të rrëmbyer", tha transmetuesi, duke pretenduar se "kufomat që nuk u përkisnin pengjeve, u kthyen në Gaza”.

KAN citoi ushtrinë të thoshte rreth një muaj më parë se forcat e saj po kryejnë operacione kërkimi dhe shpëtimi në Rripin e Gazës, duke përfshirë kërkimin e kufomave të pengjeve.

Ushtria pretendoi se "kufomat janë identifikuar të gjithë, duke ruajtur dinjitetin e tyre".

Izraeli thotë se 136 izraelitë mbahen ende në Gaza, duke përfshirë 31 që besohet të jenë të vdekur.

Pavarësisht vendimit të përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Izraeli vazhdon sulmin e tij në Rripin e Gazës ku të paktën 27.947 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 12 mijë fëmijë dhe 8.190 gra, si dhe 67,459 të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga një sulmi ndërkufitar i Hamasit, për të cilin Tel Aviv thotë se u vranë afro 1200 njerëz.

Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka lënë 85 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendosur në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa