Arabia Saudite i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për një takim urgjent për të parandaluar Izraelin të kryejë katastrofa tjera humanitare kundër palestinezëve.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite dha një deklaratë me shkrim lidhur me retorikat e "zyrtarëve izraelitë për kryerjen e një sulmi tokësor në qytetin Rafah". Në deklaratë tërhiqet vëmendja se sulmet kundër qytetit Rafah që ndodhet në jug të Rripit të Gazës nën bllokadën izraelite do të ketë reflektime jashtëzakonisht të rrezikshme.
"Rafah është streha e fundit për qindra mijëra civilë që janë detyruar të largohen për shkak të agresionit të pamëshirshëm të Izraelit. Ne e kundërshtojmë dhe dënojmë ashpër dëbimin e detyruar të atyre që janë strehuar atje", thuhet në deklaratën e MPJ saudite.
Arabisë Saudite duke përsëritur "kërkesën e saj për nevojën e armëpushimit të menjëhershëm", theksoi se KS-OKB-ja duhet të mblidhet urgjentisht për të parandaluar Izraelin të shkaktojë një katastrofë të mundshme të re humanitare.
Sinjalet nga Izraeli për sulm ndaj qytetit Rafah
Në deklaratën e tij më 4 shkurt, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu sinjalizoi se do të fillojnë sulm tokësor në qytetin Rafah, i cili ndodhet në kufirin me Egjiptin dhe ku janë strehuar qindra mijëra njerëz që janë larguar nga sulmet izraelite.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant në deklaratën e tij gjatë vizitës së trupave izraelite në rajonin Khan Younis të Rripit të Gazës më 1 shkurt, tha se ata do të zhvendosnin sulmet e tyre tokësore në qytetin Rafah. Administrata palestineze deklaroi se zhvendosja e sulmeve të Izraelit në qytetin Rafah do të nënkuptonin "një cikël të ri gjenocidi" dhe se kjo kërcënon 1.5 milion palestinezë.
Qyteti Rafah, i cili ndodhet në jug të Rripit të Gazës në kufi me Egjiptin, me strehimin e qindra mijëra njerëzve të zhvendosur në qytet për shkak të sulmeve izraelite pret afërsisht gjysmën e popullsisë së Gazës, e cila ka një popullsi prej 2.3 milionë banorësh. Forcat izraelite shënjestrojnë shpesh me sulme ajrore qytetin Rafah. Ka shqetësim se civilët nuk do të kenë strehë në Rripin e Gazës nëse Izraeli do të nisë sulm tokësor në qytetin Rafah.
Në sulmet që Izraeli ka kryer ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, përfshirë të paktën 12 mijë fëmijë dhe 8.190 gra janë vrarë 28.064 palestinezë si dhe janë plagosur 67.611 të tjerë. Nën rrënoja ende ndodhen mijëra palestinezë të vrarë ndërsa po shkatërrohet edhe infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore në të cilët është strehuar popullata./aa