Goditja testuese e raketës "Trident e kryer nga nëndetësja bërthamore HMS Vanguard e Britanisë njoftohet se ka dështuar dhe ka rënë pranë nëndetëses brenda të cilës ndodhej edhe sekretari i mbrojtjes Grant Shapps.

Sky News, duke cituar zëdhënësin e ministrisë së mbrojtjes, tha se një "anomali" ndodhi gjatë gjuajtjes testuese që u krye më 30 janar në brigjet e Floridas të SHBA-së.

Pavarësisht dështimit të lëshimit testues të raketës Trident, e cila ka aftësi të mbajë kokë bërthamore, zëdhënësi ka vënë në dukje se parandalimi bërthamor i Britanisë vazhdon të jetë i sigurt dhe efektiv dhe ka shtuar se nuk mund të ndajë më shumë detaje pasi bëhet fjalë për sigurinë kombëtare.

Një zyrtar i cili ka folur për gazetën The Sun, ka thënë se raketa ka rënë pranë nëndetëses menjëherë pas lëshimit.

The Sun gjithashtu ndau informacionin se sekretari i mbrojtjes Shapps ndodhej në nëndetëse kur ka ndodhur incidenti dhe se anomalia u shkaktua nga mosndezja e shtytësve që përfshihen në fazën e parë.

Testimi i raketës Trident nga nëndetësja e Britanisë ka dështuar edhe në vitin 2016, kur raketa ra në një pikë jashtë zonës së përcaktuar./aa