Në përvjetorin e 15-të të Pavarësisë së Kosovës,  zyrtarët e shtetit Kosovar dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj bënë homazhe në Prekaz në memorialin Adem Jashari.

 

Gjatë fjalës së tyre,  zyrtarët e shtetit të Kosovës dhe Presidenti shqiptar Bajram Begaj që ndodhet në Kosovë prej të enjtes, vlerësuan trashëgiminë e lënë pas nga Adem Jashari, Ibrahim Rugova e të tjerë.

 

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kujtuar luftën duke u shprehur se plagët janë ende të thella .

 

“Bëmë nderim dhe tek monumenti i të pagjeturve, i atyre që u zhdukën me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë për të kujtuar që plagët në Kosovë akoma janë të thella përderisa bëjmë përpjekje të pareshtura dhe punë të çdoditshme që t’i gjejmë më të dashurit tanë. Por sot është edhe një ditë shprese për shkak se Kosova jo vetëm që është vendi me qytetarët më të rinj për nga mosha, është edhe shteti më i ri në Europë me një rrugë të qartë përpara. Ajo rrugë është rruga euroatlantike dhe familja euroatlantike është aty ku Kosova e ka vendin dhe ku do ta gjejë vendin e saj shumë shpejt,” tha presidentja kosovare.

 

I pranishëm ishte dhe Presidenti Bajram Begaj, i cili u shpreh se shqiptarët do të ecin përpara dhe se ky është amaneti dhe një trashëgimi e lënë brez pas brezi.

 

“Kënaqësi për mua të jem sot këtu pjesëmarrës në 15 vite shtet i lirë dhe i pavarur i Kosovës. Ky është amaneti dhe trashëgimia që na ka lënë Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari. 15 vite ne kemi parë lindjen dhe rritjen e shtetit të Kosovës. Besoj se rrugëtimi jonë është përpara, rrugëtimi euroatlantik,” tha Begaj.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij është shprehur se pavarësisht se Prishtina është kryeqyteti i Kosovës, Prekazi është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare dhe ardhja në ketë vend tregon se rruga e së ardhmes gjithmonë ka në kujtesë çmimin që shteti Kosovar ka paguar në të shkuarën.

 

“Teksa festojmë dhe gëzohemi në këtë 15-vjetor të shpalljes së pavarësisë. I kujtojmë me mall, dhimbje e krenari ata të cilët u vetëmohuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën e tyre për lirinë e vendit. Prishtina është kryeqyteti i Republikës, por Prekazi është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare, prandaj ardhja jonë këtu në këtë ditë kaq të rëndësishme për popullin dhe historinë tonë, tregon që rruga jonë përpara gjithmonë e ka në mendje dhe në kujtesë çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë që gëzojmë.”, tha kryeministri kosovar.

 

Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca bashkë me Presidentin shqiptar Bajram Begaj, bënë homazhe edhe te varri i Ibrahim Rugovës si dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

 

Pas mbledhjes festive të Qeverisë së Kosovës, u bë edhe ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës.