Sekretari Ligjor i Partisë Demokratike, Indrit Sefa i ka dërguar një shkresë Komisionit të Etikës së PD, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të  Sekretarit të Përgjithshme, Gazment Bardhi i cili thirri të enjten mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

 

“Kërkojmë pranimin e kërkesës duke vendosur shqyrtimin e përputhshmërisë së vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, datë 22.07.2023 “Për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë” dhe shfuqizimin e këtij vendimi si një akt në kundërshtim e dispozitat statutore”, thuhet në këtë kërkesë.

 

Komisioni i Etikës do të hetojë veprimet e Bardhit, që sipas PD-së janë në shkelje të statutit.

 

Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit, Flutura Açka i ka dërguar një e-mail sekretarit të Përgjithshëm Bardhit dhe i kërkon atij që të jetë i pranishëm në seancë.

 

Kjo përplasje mes Partisë Demokratike zyrtare nisi për shkak të zgjedhjeve që pritet të mbahen më 29 korrik për kryetarin e ri.

 

KËRKESA:

 

Drejtuar Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës.

 

Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, përfaqsuar nga Indrit Sefa.

 

Kërkues:

 

Objekti:

 

Shqyrtimin e përputhshmërisë së vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike numër 59 prot, datë 22.07.2023 me titull “Për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë”. 2. Shfuqizimin e këtij vendimi si një akt në kundërshtim me dispozitat statutore.

 

Baza ligjore: Neni 54, pika 4 të Statutit të Partisë Demokratike.

 

Të nderuar Anëtarë të Komisionit

 

Me datë 25.07.2023 nëpërmjet mjeteve të komunikimit publik anëtarët e Kryesisë së Partisë Demoraktike janë njohur me vendimin numër 59 prot, datë 22.07.2023 me titull “Për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë”. Në protokollin e Partisë Demokratike nuk ka të depozituar një vendim të tillë. Nga hulumtimet publike nuk rezulton që në llogaritë publike të z. Gazment Bardhi nuk rezulton të jetë publikuar një akt i tillë. As anëtarët e Sekretariatit & Këshillit nuk janë njoftuar për marrjen pjesë dhe organizimin e kësaj mbledhje. Nisur nga sa më sipër ekziston mundësia që ky vendim të jetë jo i vërtetë, por për aq kohë sa është një akt publik që mban vulën e Partisë Demokratike vlerësojmë t’ia nënshtrojmë gjykimit të Komisionit.

 

Në mbledhjen e datës 25.07.2023 është marrë në shqyrtim ky akt i Sekretarit të Përgjithshëm, akt i cili në vlerësimin e anëtarëve të Kryesisë së Partisë rezulton të jetë në kundërshtim me dispozitat statutore. Me vendimi numër 17, datë 25.07.2023, në mbështetje të pikës 4 të nenit 54 të Statutit Kryesia ka vendosur të adresojë Komisionin për shqyrtimin e përputhshmërisë së aktit të sipërcituar me dispozitat statutore.

 

Duke vlerësuar se në vijimësi ka një interpretim të ndryshëm në kohë të pikës 4 të nenit 46 të Statutit, si dhe faktit që në kohë të ndryshme janë aplikuar sjellje dhe qëndrime të ndryshme në lidhje me zbatimin e kësaj pike kemi kërkuar nga ana e Komisionit edhe intepretimin e qartë të kësaj dispozite statutore.

 

Vendimi numer 59 prot, datë 22.07.2023 në pjesën hyrëse të tij relaton si bazë ligjore pikën 4 të nenit 46 të Statutit të Partisë Demokratike. Specifikisht i referohet fjalisë së fundit të kësaj pike që përcakton se: “Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”.

 

Nga formulimi i kësaj pike pjesës hyrëse të vendimi rezulton se qëllim për të cilin është marrë vendimi është zbatimi i dispozitës së posacme statutore që lejon Sekretarin e Përgjithshëm që në rastin e vecantë të përcaktuar në këtë pikë të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

 

Nga analiza e mëtejshme e vendimit numër 59 rezulton se në pikën 1 të tij përcaktohet se: “(Vendosa)_1. Thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ditën e enjte, datë 27 korrik 2023, ora 19.00 me këtë rend dite: “Shqyrtimi i dorëheqjes së Nënkryetarit të Partisë nga drejtimi i Partisë dhe diskutime/vendimmarrje për zbatimin e nenit 46, pika 4 të Statutit të PD”.

 

Në vlerësimin e kërkuesit pika 4 e nenit 46 të Statutit është një derogim nga norma e përgjithshme për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar. Sjellim në vëmendjen e Komisionit se kushtet e përgjithshme për mbledhjen e Këshillit Kombëtar rregullohen nga pika 5 e nenit 44 të Statutit e cila përcakton se: “5) Këshilli Kombëtar, si rregull, mblidhet jo më pak se një herë në vit. Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes. Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari i Partisë ose Kryesia e Partisë. Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe nëse e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të tij. Në këtë rast, Kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës”. Në analizë të këtyre dy normave statutore rezulton se pika 4 e nenit 46 është një normë zhbllokuese e cila ka për qëllim plotësimin e vakancës së krijuar për pozicionin e Kryetarit të Partisë. Pikërisht në këtë kontekst “fuqia e jashtëzakonshme” që i jepet Sekretarit të Përgjithshëm për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar, në derogim nga norma e përgjithshme, kufizohet nga kriteri strikt i një rendi dite të përcaktuar nga vetë norma statutore që e jep këtë fuqi. Nisur nga kjo analizë është e vërtetë që Sekretari i Përgjithshëm ka tagrat e thirrjes së mbledhjes së Këshillit Kombëtar, por këto tagra kufizohen nga fakti që rendi i ditës i kësaj mbledhje nuk mund të jetë vecse “Komandimi i Nënkryetarit në detyrën e Kryetarit të Partisë”. Ky formulim i rendit të ditës për atë mbledhje të Këshillit Kombëtar diktohet nga vetë pjesa e fundit e fjalisë së tretë të pikës 4 të nenit 46 e formuluar në këtë mënyrë “…(Këshilli Kombëtar) komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”.

 

Nisur nga sa më sipër vlerësojmë vendimi për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar, nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, me një rend dite të ndryshëm nga ai i përcaktuar nga dispozita që i jep tagrin këtij të fundit për të thirrur mbledhjen e Këshillit Kombëtar është një vendim i marrë në kundështim me dispozitat statutore.

 

Organika e Partisë Demokratike parashikon që kjo e fundit ka 4 Nënkryetar të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar. Znj Duma dhe Z Gjekmarkaj kanë dhënë dorëheqjen nga këto pozicion në mars të vitit 2022. Sipas njoftimit të datës 21.03.2022 të Sekretarit të Përgjithshëm komandimin e Z. Alibeaj në detyrën e Kryetarit të Partisë, rezulton se Partia Demokratike kishte në atë kohë 2 nënkryetarë në detyrë, Z. Alibeaj dhe Znj. Tabaku. Zoti Alibeaj me datë 17 maj 2023 dha dorëheqjen nga ushtrimi i detyrës së Kryetarit të Partisë. Zonjë Tabaku me datë 06 qershor 2023 dha dorëheqjen nga pozicioni i nënkryetares së Partisë Demokratike. Nga sa relatuar më lartë rezulton se sot jemi në kushtet kur nga 4 nënkryetarët e zgjedhur nga Këshilli Kombëtar në vitin 2021 është në detyrë vetën z. Alibeaj. Nënkryetarët e tjerë kanë dhënë dorëheqjen e për pasojë nuk plotësojnë kushtet e të qënit nënkryetar, si kusht i domosdoshëm për komandimin e mundshmë në pozicionin e kryetarit. Nënkryetari i vetëm i mbetur në detyrë Z. Alibeaj ishte i komanduar dhe dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë, c’ka nënkupton edhe mospranimin e një komandimi të mundshëm të tij në drejtimin e partisë. Në këto kushte mbledhja e pretenduar e Këshillit Kombëtar është pa objekt të mundëshm dhe nuk ka mundësinë të zbatojë parashikimet e nenit 46 pika 4 të Statutit për shkak të mungesës së Nënkryetarëve më Partinë Demokratike.

 

Në pikën 2 të vendimit numër 59, datë 22.07.2023 përcaktohet se: “Mbledhja do të zhvillohet online, sipas rregullave të përcaktuara në pikën 7, të nenit 9 të vendimit numër 2, datë 15.01.2022 “Për miratimin e rregullores së brendshme “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratiketë Shqipërisë”. Ndërkohë në pikën 4 përcaktohet se: “Ngarkohet Sekretariati i Këshillit i miratuar me vendimin numër 6, datë 15.01.2022 të Këshillit Kombëtar, për mbajtjen e protokollit të mbledhjes, regjistrimin e anëtarëve, për organizmin e operacioneve të votimit dhe dokumentimin e vendimmarrjes”.

 

Nisur nga formulimi i kësaj dispozite rezulton që mbledhja e Këshillit Kombëtar është parashikuar të zhvillohet online dhe që vendimmarrjet e Këshillit t’i nënshtrohen një procedure votimi të hapur për shkak të pamundësisë fizike të një mënyre të ndryshme votimi. Në vlerësimin e Kryesisë Rregullorja e pretenduar në këtë vendim nuk ka asnjë parashikim në lidhje me aftësinë e Këshillit Kombëtar për të realizuar mbledhje online e për pasojë jemi në kushtet e shkeljes së dispozitave statutore për mbledhjen dhe vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar. Në analizë të nenit 44 të Statutit të Partisë Demorkatike dhe të natyrës së mbledhjeve të Këshillit Kombëtar vlerësojmë se organizmi tërësor i mbledhjes së këtij organi në modalitetin on line është në kundështim me frymën e statutit dhe natyrën e punës dhe vendimmarrjeve që ky organ ka në tagrat e tij.

 

Bashkëlidhur kësaj kërkese do të gjeni

 

– Vendimin numër 59, datë 22.07.2023 të Sekretarit të Përgjithshëm

 

-Vendimin numër 17, datë 25.07.2023 të Kryesisë së Partisë Demokratike

 

– Draft Rregulloren “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratiketë Shqipërisë”

 

Bazuar në sa më sipër kërkojmë pranimin e kërkesës duke vendosur:

 

Shqyrtimin e përputhshmërisë së vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike numër 59 prot, datë 22.07.2023 me titull “Për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë”.

Shfuqizimin e këtij vendimi si një akt në kundërshtim e dispozitat statutore.