Pretendohet se Egjipti mund të pezullojë marrëveshjen e paqes Izrael-Egjipt nëse ushtria izraelite kryen operacion tokësor ndaj qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës.
Sipas lajmit të televizionit shtetëror izraelit, qeveria e Kajros ka njoftuar Izraelin se do të pezullojë marrëveshjen e paqes në rast se në Rafah hyhet nga toka.
Po ashtu Egjipti ka paralajmëruar edhe Hamasin që brenda 2 javëve duhet të arrijë marrëveshje në çështjen e shkëmbimit të pengjeve, në të kundërtën Izraeli do të vazhdojë operacionin e tij tokësor në Gaza.
Sipas lajmit, Egjipti ka forcuar sistemin e mbrojtjes në kufi me gardhe, kamera, kulla vrojtimi dhe sensorë. Nga Egjipti nuk ka ende ndonjë deklaratë në lidhje me këtë lajm të publikuar në mediat izraelite.
Traktati i Paqes Izrael-Egjipt u nënshkrua në Washington të SHBA-së më 26 mars të vitit 1979, pas vendimeve të marra në Konventën e Camp David. Nenet më të rëndësishme të marrëveshjes përfshijnë "përfundimin e gjendjes së luftës midis palëve, normalizimin e marrëdhënieve, tërheqjen e trupave të Izraelit nga Gadishulli i Sinait dhe çmilitarizimin e rajonit".
- Sinjalet nga Izraeli për sulm ndaj qytetit Rafah
Në deklaratën e tij më 4 shkurt, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu sinjalizoi se do të fillojnë sulm tokësor në qytetin Rafah, i cili ndodhet në kufirin me Egjiptin dhe ku janë strehuar qindra mijëra njerëz që janë larguar nga sulmet izraelite.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant në deklaratën e tij gjatë vizitës së trupave izraelite në rajonin Khan Younis të Rripit të Gazës më 1 shkurt, tha se ata do të zhvendosnin sulmet e tyre tokësore në qytetin Rafah. Administrata palestineze deklaroi se zhvendosja e sulmeve të Izraelit në qytetin Rafah do të nënkuptonin "një cikël të ri gjenocidi" dhe se kjo kërcënon 1.5 milion palestinezë.
Qyteti Rafah, i cili ndodhet në jug të Rripit të Gazës në kufi me Egjiptin, me strehimin e qindra mijëra njerëzve të zhvendosur në qytet për shkak të sulmeve izraelite pret afërsisht gjysmën e popullsisë së Gazës, e cila ka një popullsi prej 2.3 milionë banorësh. Forcat izraelite shënjestrojnë shpesh me sulme ajrore qytetin Rafah. Ka shqetësim se civilët nuk do të kenë strehë në Rripin e Gazës nëse Izraeli do të nisë sulm tokësor në qytetin Rafah.
Në sulmet që Izraeli ka kryer ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, përfshirë të paktën 12 mijë fëmijë dhe 8.190 gra janë vrarë 28.064 palestinezë si dhe janë plagosur 67.611 të tjerë. Nën rrënoja ende ndodhen mijëra palestinezë të vrarë ndërsa po shkatërrohet edhe infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore në të cilët është strehuar popullata./aa