Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anusiq po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u prit me gardë ceremoniale, njofton KosovaPress.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, pas takimit sot me homologun kroat, deklaroi se të dyja vendet ndajnë të njëjtat interesa në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Maqedonci, në një konferencë për media, foli mbi rolin dhe ndihmën që Kroacia ka ofruar deri më tani për Kosovën.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi sot prezenca e ushtarakëve kroatë si pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it ka kontribuar në vazhdimësi në ruajtjen dhe krijimin e një ambienti të sigurt në Kosovë.

“Kroacia ka qenë dhe mbetet një prej shteteve më përkrahëse, veçanërisht në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë. Prezenca ushtarake kroate në kuadër të KFOR-it ka ndikuar në ambient më të sigurt. Republika e Kroacisë ka mbështetur në trajnime dhe shkollime, por gjithashtu edhe në aspektin e industrisë së mbrojtjes”, tha ai.

Ai këto komente i bëri pas takimit me ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, Ivan Anusiq, ku tha se të dyja vendet ndajnë të njëjtat interesa në rrafshin rajonal dhe global të mbrojtjes dhe sigurisë, dhe se po thellojnë raportet në këtë drejtim.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anusiq theksoi mbështetjen e vendit të tij për Kosovën në rrugën e integrimeve euroatlantike. /KosovaPress/