Gjykata e Lartë gjatë vitit 2023 ka dhënë 7914 vendime, 25 % se një vit më parë, ndërsa stoku  me çështje të prapambetura përbëhet nga 23.811 çështje gjyqësore.

Në një njoftim për mediet, Gjykata e Lartë njofton se ka kryer analizën vjetore të punës së saj në vitin 2023 dhe ka publikuar dhe raportin vjetor te saj.

“Këtë vit Gjykata e Lartë dha në total 7914 vendime gjyqësore, ndërsa stoku (backlog) me çështje të prapambetura përbëhet nga 23.811 çështje gjyqësore”, thuhet në raport.

“Për sa i përket numrit të çështjeve të regjistruara në Gjykatën e Lartë, vihet re një në ulje ndër vite për çështjet e reja të regjistruara. Edhe pse në vitin 2023 janë regjistruar gjithsej 2 % më shumë çështje se në vitin 2022, numri i çështjeve të reja të regjistruara mbetet me prirje në ulje, 25 % më pak se në vitin 2021 apo 34 % më pak se në vitin 2020. Krahasuar me vitin 2019, kjo përqindje është 65 % më pak”, lexohet në raportin e publikuar nga Gjykata e Lartë.

“Gjatë vitit 2023, vihet re një rritje e numrit të çështjeve administrative të regjistruara në gjykatë prej 48 % më shumë krahasuar me vitin 2022 edhe pse përafërsisht e njëjtë me prurjet e vitit 2021 (2 % më shumë). Ndërkohë që vijon të jetë me prirje në ulje nëse krahasohet me numrin e çështjeve të reja të regjistruara në vitin 2020, përkatësisht 53 % më i ulët. Krahasuar me vitin 2019, kjo përqindje është 77 % më pak”, lexohet në raport.

“Çështjet civile të regjistruara në vitin 2023, janë ulur me 6 % në krahasim me vitin e kaluar 2022. Numri i çështjeve të reja të regjistruara në vitin 2023 është 45 % më pak se në vitin 2021 dhe 41 % më pak se në vitin 2020. Krahasuar me vitin 2019, kjo përqindje është 72 % më pak. Ndërsa çështjet penale qëndrojnë konstante në prurje me një ulje të lehtë prej 9 % në krahasim me vitin 2022 dhe 12 % në krahasim me vitin 2021, në rritje të lehtë prej 4 % nëse krahasohen me prurjet e vitit 2020, por krahasimisht në rënie në raport me numrin e çështjeve të regjistruara në vitin 2019 me 25 %”, bëhet me dije në raport.

“Çështjet administrative të regjistruara në vitin 2023 zënë një volum prej 26 % të ngarkesës së gjykatës, çështjet civile zënë një volum prej 35 % ndërsa ato të natyrës penale, zënë një volum prej 39 %. Siç vihet re nga prirja në tre vite 2019, 2020 dhe 2021, çështjet civile zënë vendin më të madh mes çështjeve të paraqitura pranë Gjykatës së Lartë. Në vitin 2022 dhe 2023, vihet re një rritje për sasinë e çështjeve penale ndërsa çështjet administrative, kanë paraqitur një ulje të ndjeshme edhe pse krahasimisht në rritje në vitin 2023”, lexohet në raport.

“Për sa i përket numrit të çështjeve të gjykuara në Gjykatën e Lartë, vihet re një prirje e dukshme në rritje. Në vitin 2023 janë gjykuar 25 % më shumë çështje se në vitin 2022 dhe 119 % më shumë krahasuar me vitin 2021. E njëjta prirje vihet re edhe në ndarjen e çështjeve sipas natyrës. Kështu, çështjet administrative të gjykuara janë rritur me 29 %, çështjet civile me 21 % dhe çështjet penale me 24 %. Në harkun kohor të tre vjetëve janë dhënë 24.688 vendime. Çështjet administrative të gjykuara në vitin 2023 zënë një hapësirë prej 38 % të ngarkesës së Gjykatës, çështjet civile zënë 34 %, ndërsa ato të natyrës penale zënë 28 %”, thuhet në raport./ata