I pyetur në lidhje me deklaratën e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se ai do të “inkurajonte” Rusinë që të “bëjë çfarëdo të dojë” ndaj një vendi të NATO-s që nuk ka paguar mjaftueshëm për mbrojtjen, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar se aleanca nuk mund të varet nga tekat e presidentit amerikan.

“NATO nuk mund të jetë një aleancë që funksionon në varësi të presidentit të SHBA-së”, tha Borrell para gazetarëve në Bruksel.

“Le të jemi serioz. NATO nuk mund të jetë një aleancë ushtarake ‘a la carte’. Unë nuk do ta shpenzoj kohën time duke komentuar një ide pa kuptim që vjen gjatë kësaj fushate në SHBA”, theksoi Borrell.

Të shtunën, Trump në një tubim të fushatës në shtetin e Karolinës së Jugut kishte paralajmëruar se nuk do të ndërhynte në rast të ndonjë sulmi rus ndaj aleatëve që nuk kishin përmbushur detyrimet e tyre financiare ndaj NATO-s.

Gjatë kohës së tij në detyrë, Trump kishte marrëdhënie tejet të tensionuara me aleatët e SHBA-së në NATO, si në publik ku ai shpesh qorton miqtë tradicional të SHBA-së duke lavdëruar armiqtë, ashtu edhe privatisht ku thuhet se nxit largimin e SHBA-së nga aleanca./aa