Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se kriza e vazhdueshme në Gaza do të jetë fokusi qendror i vizitave të tij këtë javë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Egjipt.
“Ne do të bëjmë vizita këtë javë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipt. Sulmet e përshkallëzuara izraelite në Gaza padyshim do të kryesojnë agjendën në të dy vendet”, tha presidenti Erdoğan pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin Ankara.
Erdoğan gjithashtu akuzoi qeverinë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se po imiton Hitlerin dhe po kalon kufirin në mënyrë të reja çdo ditë në “politikën e saj brutale që nga 7 tetori”, kur filloi konflikti i fundit në Gaza.
“Përveç diskutimeve dypalëshe, ne do të zhvillojmë edhe takime me krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse”, shtoi Erdoğan.
Pas Emirateve të Bashkuara Arabe, presidenti Erdoğan tha se ai do të vazhdojë në Kajro në përgjigje të një ftese nga presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, duke shtuar se gjatë vizitës ai dhe al-Sisi do të diskutojnë tema të ndryshme, përfshirë ekonominë, tregtinë, turizmin, energinë dhe mbrojtjen.
Duke dënuar agresionin e Izraelit ndaj qytetit jugor Rafah në Rripin e Gazës, përfshirë një ofensivë të planifikuar, presidenti turk tha se arsyeja e guximit të Izraelit është “politika hipokrite e fuqive perëndimore”.
“Derisa fuqitë perëndimore kërkojnë publikisht përmbajtje nga Izraeli, ata mbyllin një sy ndaj mizorive të Netanyahut, duke u fshehur pas justifikimit të Hamasit”, tha ai.
Erdoğan gjithashtu theksoi rëndësinë e çrrënjosjes së terrorizmit, duke theksuar se, “Çrrënjosja e terrorizmit (në kufijtë jugor të Türkiyes) është gjithashtu vendimtare në Projektin e Rrugës së Zhvillimit që planifikojmë të zbatojmë me Irakun”.
Përveç kësaj, presidenti turk përsëriti qëndrimin e Türkiyes për mos lejimin e krijimit të një “korridori terrorist” përgjatë kufijve të saj jugor./aa