Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza paralajmëroi për rritjen e vdekjeve nga uria në veri të Gazës, në të cilën nuk mbërrijnë ndihma të mjaftueshme humanitare për shkak të bllokadës dhe pengesave të Izraelit.
Ministria e shëndetësisë publikoi një deklaratë lidhur me vdekjet nga uria në veri të Rripit të Gazës ku Izraeli ndalon hyrjen e ndihmave humanitare.
Në deklaratë njoftohet se në veri të Gazës nga toka kanë mbërritur shumë pak ndihma humanitare dhe nuk janë të mjaftueshme. "Bota do të jetë dëshmitare e shumë vdekjeve nga uria në ditët e ardhshme", thekson deklarata.
Më tej duke informuar se për shkak të ndihmave të pamjaftueshme uria do të eliminojë popullatën në veri të Gazës, në deklaratë tërhiqet vëmendja gjithashtu edhe për bombardimet e Izraelit ndaj palestinezëve që presin ndihmë.
Gjithashtu në deklaratë thuhet se Izraeli e ka bërë rutinë bombardimin e palestinezëve që i ka lënë në uri dhe pa ujë, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar e shikon këtë vetëm përmes ekraneve.
"Në Gaza çmimi për një sasi të vogël ushqimi mund të jetë vdekja" thuhet në deklaratën në të cilën i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që të shpëtojë nga uria dhe vdekja popullin në veri të Gazës.
Në sulmin e ushtrisë izraelite e cila këtë mëngjes shënjestroi palestinezët të cilët prisnin ardhjen e kamionëve me ndihma në lindje të Rripit të Gazës, humbën jetën 7 persona ndërsa u plagosën mbi 20 të tjerë.
Në sulmin e Izraelit në fillim të muajit mars ndaj palestinezëve që po prisnin ndihma humanitare, humbën jetën 118 persona dhe u plagosën 760 të tjerë.
Me vdekjen edhe të 2 foshnjave të tjera në ditën e parë të Ramazanit është njoftuar se numri i vdekjeve nga uria dhe kequshqyerja në Rripin e Gazës është rritur në 27.
Kombet e Bashkuara (OKB) kishin paralajmëruar se 2,2 milionë njerëz në Rripin e Gazës nën sulmet intensive të Izraelit, ndodhen përballë rrezikut të urisë.
Sipas OKB-së, 378 mijë njerëz në Gaza përballen me urinë e nivelit 5, e cila quhet "katastrofike" ndërsa 939 mijë njerëz përballen me urinë e nivelit 4 e cila njihet si "situatë emergjente" sipas shkallës së Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC)./aa