Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka vizituar qendrën tutoriale Fondacionin “Little Bits of Good” në Çair, i cili së bashku me qendrat në Gazi Babë, Butel 2 dhe Vizbegovë janë pjesë e filialit të këtij fondacioni në vend.

Siç njofton kabineti i presidentit, Pendarovski ndoqi mësimet e matematikës dhe artit në qendrën “Motivi” në Çair.

Pendarovski bisedoi me nxënësit për lëndët e tyre të preferuara dhe për lëndët që i mësojnë me më pak pëlqim, si dhe për punimet e pikturuara.

Përgjegjësit për programin e qendrës gjatë vizitës e informuan në detaje presidentin Pendarovski për programin që po realizohet, si dhe për sfidat dhe rezultatet e arritura nga ky lloj mësimi në qendër.

Në të njëjtën kohë, thuhet më tej në njoftim, përgjegjësit theksuan se qëllimi i aktiviteteve të tyre për nxënësit e shkollave fillore përreth është përmirësimi i cilësisë së jetës së familjeve të varfra dhe nënave të vetme.

Ata gjithashtu theksuan se fondacioni ofron ndihmë financiare për personat me aftësi të kufizuara që nuk janë në gjendje të punojnë, si dhe ofron bursa mjekësore për studentët me arritje të larta dhe studentët e nën-përfaqësuar nga rajoni i Shkupit në fakultetet e akredituara të mjekësisë.

Sipas njoftimit nga kabineti i presidentit, katër qendrat tutoriale të Fondacionit “Little Bits of Good” i vizitojnë rreth 500 nxënës dhe përveç mësimit të shkencave natyrore, mbajnë edhe kurse në gjuhën maqedonase dhe angleze, me një program të pasuruar në fushën e artit dhe përmes një ekspozite vjetore të artit, nxënësve të talentuar u jepet mundësia të shfaqin aftësitë e tyre./aa