Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pasditen e sotme ka miratuar Ligjin për ndryshime në Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor, sipas të cilit patentat e shoferit me etiketën “Republika e Maqedonisë” do të jenë të vlefshme deri në fund të vitit.

Ligji në fjalë, i mbajtur në kuadër të seancës së 144-të me procedurë të shkurtuar, u miratua me 110 vota “për”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Me këtë ligj, afati për marrjen e patentave të reja të shoferit me etiketën “Republika e Maqedonisë së Veriut” në vend deri sonte në mesnatë, vazhdohet deri më 31 dhjetor të vitit 2024.

Menjëherë pas miratimit të ligjit në Kuvend, presidenti Stevo Pendarovski e nënshkroi dekretin.

“Presidenti Pendarovski e përshëndet vendimin e deputetëve të cilët sot i vendosën interesat e qytetarëve mbi politikën ditore dhe sollën zgjidhje për patentat e shoferëve”, tha kabineti i presidentit.

Sipas vendimit fillestar, patentat e shoferit me etiketën “Republika e Maqedonisë” prej nesër nuk do të vlenin më, jo vetëm jashtë vendit, por edhe brenda vendit./aa