Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se SHBA i ka komunikuar Izraelit shqetësimet për një sulm të mundshëm izraelit në Rafah në Rripin e Gazës jugore në kufirin me Egjiptin.
“Ne vazhdimisht i kemi përcjellë shqetësimet tona homologëve tanë izraelitë, duke përfshirë kryeministrin (Benjamin Netanyahu) për lëvizjen para në Rafah në një mënyrë masive pa konsiderimin e duhur të civilëve”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
“Dhe ne kemi përcjellë vazhdimisht, privatisht dhe publikisht, shqetësimet tona për nevojën për të vazhduar të kërkojmë mënyra për të reduktuar viktimat civile. Siç tha presidenti (Joe Biden) dje, ka pasur shumë”, shtoi ai.
Kirby përsëriti se SHBA-ja nuk beson se është e këshillueshme që të lëvizet përpara me një operacion të madh në Rafah, përveç nëse ose derisa të ketë llogaritje të duhur për të gjithë civilët që ndodhen në qytet.
Dje, gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë me Mbretin e Jordanisë, Abdullah II, presidenti Biden tha se, “Shumë nga mbi 27 mijë palestinezët e vrarë në këtë konflikt kanë qenë civilë të pafajshëm, duke përfshirë mijëra fëmijë”.
Presidenti amerikan theksoi se qindra mijëra persona nuk kanë qasje në ushqim, ujë apo shërbime të tjera dhe se shumë familje kanë humbur jo vetëm një, por shumë të afërm.
“Është zemërthyese”, theksoi ai.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 28.743 palestinezë dhe duke plagosur rreth 68.150 të tjerë, ndërkohë nga pala izraelite, besohet se janë vrarë 1.200 njerëz në sulmin e Hamasit.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm këtë janar urdhëroi Tel Avivi të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa