Një takim katërpalësh është hapur në kryeqytetin egjiptian Kajro për të diskutuar armëpushimin në Rripin e Gazës.

Siç raportojnë mediat lokale, në takim marrin pjesë drejtori i CIA-s, William Burns, shefi i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe shefi i Mossad-it, David Barne.

“Takimi diskutuon lirimin e të burgosurve palestinezë në këmbim të pengjeve izraelite, si dhe një armëpushim në Gaza”, tha kanali shtetëror ‘Aq Qahera News’, duke cituar një burim egjiptian

Një delegacion i Hamasit vizitoi kryeqytetin egjiptian javën e kaluar për bisedime mbi një marrëveshje të mundshme të shkëmbimit të pengjeve me Izraelin.

Javën e kaluar, sipas një burimi palestinez, Hamasi propozoi një plan me tre faza për një armëpushim në Gaza që përfshin një pauzë 135-ditore në luftime në këmbim të lirimit të pengjeve.

Marrëveshja kornizë origjinale për një armëpushim në Gaza u përpunua gjatë një takimi në Paris muajin e kaluar me zyrtarë të lartë nga SHBA-ja, Izraeli, Katari dhe Egjipti.

Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, hodhi poshtë ofertën e Hamasit për një armëpushim dhe u zotua se do të vazhdojë luftën e tij në Gaza deri në një “fitore shkatërruese” mbi grupin palestinez.

Izraeli beson se 134 izraelitë po mbahen në Gaza pasi së fundmi ushtria izraelite arriti të lirojë dy pengje në qytetin Rafah në jug të enklavës.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 28.743 palestinezë dhe duke plagosur rreth 68.150 të tjerë, ndërkohë nga pala izraelite, besohet se janë vrarë 1.200 njerëz në sulmin e Hamasit.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm këtë janar urdhëroi Tel Avivi të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa