Turqia ka përsëritur kërkesen e saj për të bashkuar zyrtarët ukrainas dhe rusë për bisedimet e paqes, në kundërshtim me propozimin e Kievit për të përjashtuar fillimisht Rusinë nga samiti ndërkombëtar, tha dje presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğant në Stamboll.

“Ne jemi gati të presim një samit paqeje në të cilin do të marrë pjesë edhe Rusia”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Ankaraja është e gatshme të ndërmjetësojë për t’i dhënë fund luftës me një paqe të drejtë të bazuar në negociata”, tha Erdogan.

“Ne nuk mendojmë se mund të ftojmë njerëz që bllokojnë, shkatërrojnë dhe vrasin gjithçka,” tha Zelensky, duke përmendur planet e Kievit për një samit të mundshëm në Zvicër, fillimisht pa pjesëmarrjen e Rusisë.

“Rusët mund të thirren vetëm pasi vendet e civilizuara të botës të përgatisin një plan të detajuar”, tha Zelensky, plani i të cilit parashikon një tërheqje të plotë të trupave ruse nga Ukraina.

“Së bashku me Zelensky, diskutuam gjithashtu korridoret e sigurta të eksportit të ushqimit, sigurinë e lundrimit në Detin e Zi si dhe shkëmbimin e të burgosurve midis Kievit dhe Moskës”, shtoi Erdogan.

“Ankaraja synon të diskutojë vazhdimin e marrëveshjes së grurit përmes Detit të Zi, të cilën OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan në korrik 2022”, shtoi Erdogan.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Rusia ka ofruar garanci për sigurinë e eksporteve të grurit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi.

Megjithatë, pasi afati i marrëveshjes përfundoi në korrik 2023, Kievi siguron korridorin e vet përgjatë vijës bregdetare përmes të cilit mallrat mund të shkonin të sigurt në portet e Ukrainës./ata