Gazeta amerikane "Wall Street Journal" (WSJ), operacionin e shkëmbimit të kryer në Ankara nën menaxhimin e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës së Türkiyes (MIT) e komentoi si "një tjetër sukses diplomatik për presidentin Recep Tayyip Erdoğan".
Në mesin e të liruarve përmes operacionit të shkëmbimit nga MIT ishte edhe gazetari i WSJ, Evan Gershkovich thuhet në lajmin e gazetës ku rikujtohet se Türkiye ka organizuar shumë "shkëmbime të burgosurish" që nga dita që shpërtheu lufta në Ukrainë.
Gazeta WSJ theksoi se operacioni i shkëmbimit ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë është "një tjetër sukses diplomatik" për presidentin Erdoğan dhe bëri vlerësimin se "i kujton edhe një herë Perëndimit vlerën e ndërmjetësimit të Türkiyes".
Më tej duke rikujtuar se Türkiye ishte një lojtar efektiv në marrëveshjen e "Iniciativës së Drithit në Detin e Zi", gazeta theksoi se Türkiye zhvilloi bisedime paqeje për luftën e Ukrainës, megjithëse nuk arriti në një përfundim.
Gjithashtu WSJ shkruan se presidenti Erdoğan ka ndjekur një kurs të pavarur nga Perëndimi lidhur me marrëdhëniet me Rusinë.
Dje, MIT realizoi operacionin më të gjerë të shkëmbimit të periudhës së fundit, i cili përfshin shkëmbimin e ndërsjellë të 26 personave në burgjet në SHBA, Gjermani, Poloni, Slloveni, Norvegji, Rusi dhe Bjellorusi.
Në mesin e atyre që u shkëmbyen në operacion kryesojnë gazetari i "Wall Street Journal", Evan Gershkovich, ish-marinsi amerikan Paul Whelan, mercenari shtetasi gjerman, Rico Krieger, opozitari rus Ilya Yashin dhe oficeri i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse, Vadim Krasikov./aa