Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të ish-sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, po qëndron për vizitë pune në Bullgari, si e ftuar speciale në ngjarjen e organizuar nga Clinton Global Initiative. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pasur një bashkëbisedim me ish-sekretaren Clinton, ku kanë biseduar për disa tema të rëndësishme.

Osmani gjithashtu ka falënderuar atë dhe gjithë popullin amerikan që kanë ndihmuar Kosovën. “Për ekonomi të zhvilluara dhe gra të fuqizuara, parakusht janë liria, paqja dhe demokracia. Në një bashkëbisedim me Sekretaren Clinton sot, e falënderova atë personalisht, Presidentin Clinton dhe të gjithë popullin amerikan që na ndihmuan që sot t’i gëzojmë këto të drejta dhe po vazhdojnë të na ndihmojnë që shembulli e zëri i Kosovës të jehojnë anekënd botës”, ka deklaruar presidentja Osmani në Facebook.

Clinton Global Initiative është themeluar në vitin 2005 nga ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton dhe ka për qëllim bashkimin e forcave të liderëve botëror për ofrimin e zgjidhjeve konkrete për sfida globale./BalkanWeb