Të rinjtë shqiptarë do të mbështeten për t’u futur në tregun e punës, përmes programit të Garancisë Rinore, një qasje e re e Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, bën të ditur se programi i Garancisë Rinore ka startuar.

Gonxhja tha se, Esra, Blerina dhe Helidor janë disa nga të rinjtë të cilët janë punësuar ose po ndjekin kurs formimi profesional përmes programit të Garancisë Rinore në Shkodër, vetëm 1 muaj pasi aplikuan për t’u bërë pjesë.

Ministri ftoi të rinjtë t’i bashkohen programit “Garancia Rinore” që synon sigurimin e një oferte cilësore punësimi, arsimi apo formimi profesional brenda 4 muajve.

“Nëse je deri në 29 vjeç dhe jeton në Tiranë, Vlorë apo Shkodër dhe nuk je i punësuar, nuk je duke ndjekur arsim, nuk je duke ndjekur një kurs formimi profesional, eja bëhu pjesë e fazës pilot të zbatimit të Garancisë Rinore në Shqipëri duke aplikuar në portalin e-Albania, në Shërbimin “Aplikim për Garancinë Rinore” , shkroi Gonxhja në rrjete sociale./ata