Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se është nënshkruar marrëveshja e huasë me BERZH për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit.

Rama theksoi se, ky është një projekt i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin, i cili do të rrisë komunikimin mes vendeve, duke nxitur e lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.

Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nënshkroi sot në Londër me presidenten e BERZH, Odile Renaud-Basso marrëveshjen e huasë për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit.

Linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit ka një gjatësi prej rreth 120 km dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga jugu në veri. Ajo lidh qytetet e Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut, ndërsa kalon kufirin shtetëror Shqipëri/Mal i Zi në Hanin e Hotit./ata