Kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, deputeti socialist Eduard Shalsi takoi sot Federica Mogherini-n, rektore e Kolegjit të Evropës.
Shalsi përmes një postimi në rrjetet sociale njofton se gjatë takimit u diskutua mbi aplikimet e kampusit të Tiranës, të cilat kanë qenë të shumta.
“Me Federica Mogherini-n, rektoren e Kolegjit të Europës, patëm një bisedë tejet interesante mbi aplikimet e kampusit të Tiranës, i pari kampus jashtë vendeve të BE që me shumë entuziazëm dhe perspektivë e inauguruam në tetorin e vitit e të kaluar përgjatë Samitit të Procesit të Berlinit”, shkruan Shalsi.
“Lajmi i mirë është që aplikimet kanë qenë të shumta në numër – që është tregues i interesit të lartë nga ana e studentëve dhe i zgjedhjes së duhur të të paturit një kampus në Shqipëri që mbulon më së miri ndër të tjera edhe vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës Juglindore”, vijon Shalsi.
Shalsi ndodhet në Bruksel i ftuar në Javën Parlamentare Europiane, në konferencën mbi Stabilitetin, Koordinimin dhe Qeverisjen Ekonomike në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se gjatë fjalës së tij, presidenti i Këshillit Europian Charles Michel e përqendrua në 5 çështje kryesore: tregu i përbashkët; energjia; burimet; inovacioni& financimi./ata