Blerina Gjylameti u zgjodh unanimisht si zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Zgjedhja e Gjylametit, e cila është njëkohësisht dhe kryetare e delegacionit shqiptar, u mor në mbledhjen e sotme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Gjylameti u shpreh se, “ky post i rëndësishëm është një tjetër konfirmim i besimit dhe vlerësimit që gëzon Shqipëria sot në arenën ndërkombëtare për të kontribuar në konsolidimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës”.

“Me marrjen e kësaj detyre te lartë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ulen delegacionet kombëtare të 46 vendeve anëtare të kontinentit tonë, së bashku me delegacionin e Shqipërisë do të vijojmë angazhimet për forcimin e vlerave demokratike si dhe për të çuar përpara agjendën e anëtarësimit të Kosovës në KiE”, theksoi deputetja Gjylameti.

Me marrjen e kësaj detyre, Gjylameti pritet të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e mëtejshëm të parimeve dhe vlerave të Këshillit të Evropës./ata