Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale se ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit.

“Rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme”, u shpreh Hasani.

“Këshillojmë shqiptarët në këtë rajon, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për përditësimet e sigurisë publike dhe të kontaktojnë ambasadat tona për ndihmë”, vijoi ministri i Jashtëm.

Më herët, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se është në komunikim të pandërprerë me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Izrael si edhe me të gjithë shtetasit shqiptarë, me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm në Izrael.

“U bëjmë thirrje të ndjekin e të zbatojnë udhëzimet e sigurisë, të bëra publike së fundmi nga autoritetet vendase”, u shpreh MEPJ duke vendosur në dispozicion edhe numrat e kontaktit./ata