Partia Demokratike deklaroi sot se Kryeministri Rama po shpenzon 4 milionë euro për instalacionin në oborrin e Kryeministrisë, ndërsa për pakon e madhe për inflacionin dhe rritjen e çmimeve ka shpërndarë 8 milionë euro.

 

Në një deklaratë për mediet, zëdhënësja e PD-së Floriana Garo tha se 4 milionë euro nga taksat e shqiptarëve do të kushtojë një instalacion, që do të vendoset në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë.

 

“I mbiquajtur “Kopshti i Parajsës”, përveç kostos së pajustifikuar, është edhe një tallje e hapur me shqiptarët. Për kujtesë, ajo që Rama e quante “Pakoja e madhe” dhe do të ndahej mes 1 milion shqiptarëve, ka nxjerrë nga arka e shtetit 8 milionë euro. Për një kopsht që e sheh vetëm kryeministri dhe grupi i afërt i tij, rreth 20 vetë në ditë, janë derdhur 4 milionë euro. E kemi thënë e stërthënë, se Edi Rama jeton në një botë paralele, ku nuk ka shqiptarë”, tha ajo.

 

Në vijim, Garo shtoi se kryeministri normal i një vendi normal nuk do të shpenzonte kurrë 4 milionë euro për një instalacion, një tekë të vetën, të cilën ai do ta fotografojë dhe postojë në rrjete sociale si Rilindje urbane.