Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi tha se vendi i tij po hap një faqe të re në marrëdhëniet me Türkiyen.
Sisi foli në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur pasi nënshkroi Deklaratën e Përbashkët për Ristrukturimin e Takimeve të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë me presidentin Recep Tayyip Erdoğan në Kajro.
Sisi shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e Erdoğanit në vendin e tij pas më shumë se dhjetë vjetësh dhe tha: "Ne po hapim një faqe të re midis dy vendeve".
Duke deklaruar se ka diskutuar me Erdoğanin për situatën në Rripin e Gazës, Sisi tha: "Jam dakord me Presidentin e Türkiyes për vendosjen e një armëpushimi të menjëhershëm në Gaza dhe për të qetësuar tensionin në Bregun Perëndimor".
Ai theksoi bashkëpunimin me Türkiyen dhe tha se Egjipti dhe Türkiye do të mund të arrijnë rezultate shumë të mira për çështjen e Gazës duke punuar së bashku.
"Ne synojmë të arrijmë objektivin tregtar prej 15 miliardë dollarësh në të ardhmen e afërt", tha po ashtu ai, duke iu referuar lidhjeve tregtare.
Duke komentuar ftesën e homologut Erdoğan për të vizituar Türkiyen, Sisi tha: “Mezi pres t'i përgjigjem ftesës së presidentit Erdoğan për të vizituar Türkiyen në prill"./aa