Ish-kryeministri i Libanit, Saad al-Hariri tha se babai i tij Rafik al-Hariri u vra nga anëtarët e Hezbollahut.
Hariri në kryeqytetin Bejrut dha një deklaratë për kanalin televiziv "Al Hadath" me bazë në Arabinë Saudite në 19-vjetorin e vrasjes së babait të tij. Duke nënvizuar se babai i tij është vrarë dhe kanë kaluar 19 vite nga ngjarja, Hariri nënvizoi se autorët nuk janë nxjerrë para drejtësisë.
"Si shtet libanez, ne nuk mundëm t'i arrestonim autorët, por ata që vranë (Rafik Hariri) dihet se ishin anëtarë të Hezbollahut. Ne nuk i kapëm sepse nuk donim të shpërthente një luftë civile në vend. Disa nga autorët më vonë vdiqën në Siri", tha ai.
Lidhur me konfliktet që kanë ndodhur midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në jug të Libanit që nga 8 tetori 2023 dhe mundësinë e një lufte të mundshme gjithëpërfshirëse, Hariri tha: "Netanyahu dëshiron ta çojë luftën në Liban me arsyetime të ndryshme, por Hezbollahu apo Irani nuk duan luftë me Izraelin".
Kur u pyet nëse do t'i rikthehej jetës politike që u largua në janar të vitit 2022, Hariri tha: "Për momentin nuk do të tërhiqem nga vendimi im. Çdo gjë është e mirë në kohën e vet".
- Historia e Libanit është plot me vrasje politike
Vrasjet politike zënë vend të rëndësishëm në historinë e Libanit, ku konfliktet e brendshme politike janë të shpeshta, duke patur parasysh vendndodhjen e tij gjeopolitike dhe strukturën shumë të fragmentuar etnike dhe fetare.
Në Liban, i cili njihet si vendi me numrin më të madh të vrasjeve politike në Lindjen e Mesme, 2 presidentë dhe 3 kryeministra si dhe shumë politikanë, klerikë dhe gazetarë, kanë humbur jetën si pasojë e atentateve që nga 22 nëntori i vitit 1943 kur fitoi pavarësinë nga mandati francez.
- Vrasja e Rafik Haririt
Ish-kryeministri libanez, Rafik Hariri u vra së bashku me truprojat dhe ndihmësit e tij në një atentat me një makinë bombë në vitin 2005.
Duke marrë parasysh ndarjen dhe konfuzionin në vend, qeveria libaneze ia dorëzoi Kombeve të Bashkuara (OKB) çështjen e vrasjes së Haririt. Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendosi të themelojë Tribunalin Ndërkombëtar për Libanin më 29 mars 2006.
Gjykata Ndërkombëtare e Libanit, e cila filloi punën e saj më 1 mars 2009, më 11 dhjetor 2020 shpalli vendimin e saj për autorin e atentatit, Selim Jamil Ayyash-in.
Gjykata dënoi Ayyash-in, një anëtar i organizatës së Hezbollahut, i cili u konsiderua si përgjegjës për vrasjen e Haririt dhe 21 personave me të dhe u gjykua në mungesë, me pesë herë burgim të përjetshëm.
Hezbollahu, i cili nuk pranon gjykatën dhe vendimin e saj, pretendon se atentatin e ka kryer Izraeli./aa