Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kavajës pasi akuzohen për grabitjen e shtatë banesave gjatë 3 muajve të fundit.

 

Mësohet se të arrestuarit janë 20 vjeçari Shkëlqim Çopa, dhe 29-vjeçari Alfred Përshtaku, të dy banues në Golem.

 

Të dy këta persona kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrit dhe kanë grabitur banesat në Kavajë.

 

NJOFTIMI:

 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Seven”, për zbardhjen e 7 vjedhjeve në banesa, të kryera gjatë 3 muajve të fundit.

 

Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas, bashkëpunëtorë për kryerjen e këtyre vjedhjeve.

 

Sekuestrohen disa pajisje dhe sende që i shërbenin kryerjes së kësaj veprimtarie kriminale, 2 celularë dhe 2 motoçikleta me të cilat lëviznin këta shtetas.

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, si rezultat i punës së mirëfilltë hetimore dhe operacionale, të kryer menjëherë pas denoncimeve të marra nga qytetarët, për raste të ndryshme vjedhjesh në banesa, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Seven”.

 

Në kuadër të këtij operacioni u zbardhën 7 raste vjedhjesh, të kryera në Kavajë, gjatë periudhës prill-qershor 2023, si dhe u identifikuan, u kapën dhe u arrestuan 2 autorët e dyshuar të tyre, konkretisht shtetasit Sh. Ç., 20 vjeç dhe A. P., 29 vjeç, të dy banues në Golem.

 

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në 7 banesa të ndryshme në qytetin e Kavajës, pajisje elektrike, mobilje dhe vegla pune.

 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kuti me çelësa mekanikë, gërshërë, kaçavida, 2 celularë dhe 2 motoçikleta me të cilat lëviznin këta shtetas.

 

Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga shtetasit Sh. Ç. dhe A. P.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.