Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë miqësoren e parë të muajit mars kundër përfaqësueses së Kilit.
Lajmin e bën të ditur Federata Shqiptare e Futbollit në një njoftim në faqen zyrtare.
Në njoftim thuhet se Federata Shqiptare e Futbollit ka rënë dakord me Federatën e Futbollit të Kilit që kjo ndeshje miqësore të luhet në stadiumin “Enio Tardini”, në Parma të Italisë, më 22 mars, duke nisur nga ora 20:45.
Kjo është ndeshja e parë në histori mes këtyre dy përfaqësueseve. Kili është një nga ekipet kombëtare më me histori në Amerikën Latine, teksa ka fituar dy herë Copa America-n dhe ka marrë pjesë në disa finale të kampionatit Botëror të futbollit.
Sakaq, më 25 mars, Shqipëria do të luajë edhe miqësoren e dytë të këtij muaji, ndaj Suedisë. Ky takim do të luhet në stadiumin “Friends Arena” të Stokholmit, në orën 19:00.
Këto dy ndeshje miqësore janë në kuadër të përgatitjeve të Kombëtares për Europianin “Gjermani 2024”, ku trajneri Silvinjo do të ketë mundësinë që të testojë lojtarët dhe ekipin kuqezi pas thuajse 4 muajsh nga ndeshja e fundit./ata