Boksieri Nelson Hysa ka fituar titullin e parë europian në WBO për peshat e rënda. Shkodrani triumfoi që në raundin e parë ndaj Thorsten Fuchs, duke e gjunjëzuar dy herë në pak sekonda, në një atmosferë elektrizuese në sheshin “Skënderbej”.
Dueli që zgjati vetëm një raund u karakterizua nga goditja e saktë me të djathtën e bokserit Hysa, që gjunjëzoi menjëherë kundërshtarin nga Gjermania. Kjo ishte fitorja e 18-të në karrierë për Hysën. Bokseri shkodran ka arritur të triumfoi 16 herë me “knock out”, ndërsa në dy raste ka fituar me pikë. Ky triumf i Hysës sjell për herë të parë titullin europian në Shqipëri.
Lidhur me triumfin e Hysës ka reaguar dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Ai thekson se boksieri Hysa ngre lart Shqipërinë.
“Nelson Hysa ngre përsëri lart Shqipërinë, duke marrë titullin e parë europian WBO për peshat e rënda. Bravo Nelson Hysa”, shkruan Balla.
Shqipëria u krenua edhe me boksierin tjetër, Alban Bërmeta. Boksieri kryeqytetas mposhti Obina Matheu pas 3 minutash. Titulli global WBO shkoi për Bërmetën, i cili mori fitoren e 17-të në karrierën e tij./ata