Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila ndodhet në Gjermani, mbajti fjalën e saj në panelin “Perspektiva të Evropës Qendrore dhe Lindore”, që u mbajt në kuadër të panairit më të madh në botë për prodhimet organike,  BIOFACH2024.

Ministrja Denaj prezantoi një panoramë të prodhimit organik në Shqipëri. Ministrja shpjegoi se prodhimi organik në vend është një sektor në hapat e parë, por, vijoi ajo, me rëndësi në të ardhmen për ta zhvilluar më tej si potencial të ofertës bujqësore “Made in Albania”.

“Bujqësia organike ka një rol të rëndësishëm në prodhimin e ushqimit që respekton mjedisin dhe rrit vlerën e produktit drejt tregjeve elitare”, tha Denaj.

Përmes Skemës Kombëtare të mbështetjes, Denaj bëri të ditur se do të vijohet me nxitjen e fermerëve drejt përpunimit, për të shtuar vlerën e prodhimeve të tyre me avantazhet e bujqësisë organike.

10 kompani shqiptare janë vendosur në stendat e panairit, prej nga ku po prezantojnë vlerat e jashtëzakonshme të shijeve shqiptare dhe ekselencës sonë organike./ata