Pallati i ri i Kulturës në Burrel është rinovuar nga bashkia me mbështetjen e programit të BE-së “EU4Municipalities”, duke ofruar tani mundësi të reja për ngjarje kulturore dhe kurse teknologjie.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato ishte sot në ambientet e Pallatit të Kulturës në Burrel, i pajisur me salla të reja baleti, muzike dhe galeri arti, por edhe me një qendër të re të TIK-ut që mundëson përparimin teknologjik të rinisë së qytetit.

“Krenarë tek shohim kontributin e BE-së që përmirëson jetën e komuniteteve në Shqipëri dhe fuqizon të rinjtë për t’u bërë bashkë, për të mësuar dhe përmirësuar aftësitë e tyre”, u shpreh ambasadori.

Inovacioni dhe kultura për fuqizimin e Matit është një nga 19 ndërhyrjet që BE financon në të gjithë Shqipërinë me grante të “EU4Municipalities” deri në 1.7 milionë euro.

“Mbështetja jonë për bashkitë për të përmirësuar shërbimet e tyre, për të modernizuar dhe çuar përpara qeverisjen përmes konsultimeve dhe angazhimeve të forta publike vazhdon”, u shpreh ambasadori Gonzato./ata