Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho u shpreh sot se, 8 marsi është ditë proteste dhe reflektimi.

Në një reagim në rrjetet sociale, Xhixho theksoi se, janë më shumë se 160 gra të vrara në 14 vitet e fundit në Shqipëri. Mbi 2 mijë kërkesa për urdhra mbrojtjeje gjatë vitit që lamë pas”.

“Fatkeqësisht jetojmë në një shoqëri të dhunshme dhe viktima e parë e kësaj dhune është gruaja”, u shpreh ajo.

Xhixho shtoi se, “mundësitë për punësim janë më të vogla për gratë sesa për burrat. Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 70,2%, ndërsa për burrat ky tregues është 81,7%”.

“Rritja e kostove të jetesës për shkak të inflacionit ka rënduar më shumë mbi gratë, sidomos për gratë kryefamiljare. Mijëra gra dhe vajza janë detyruar të emigrojnë vitet e fundit në kërkim të shpresës”, tha ajo.

“Sot nuk është një ditë feste, është një moment reflektimi për mundësitë që duhen shfrytëzuar për t’ua bërë grave jetën më të mirë”, nënvizoi Xhixho.

“Fuqizimi i rolit të gruas, mbështetja në karrierë, përkrahja ekonomike dhe përfshirja në vendimmarrje janë mekanizmat përmes të cilave do ta bëjmë shoqërinë më të mirë. Bashkë jemi më të forta, bashkë e bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë”, përfundoi deputetja e PL, Erisa Xhixho./ata