Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, të gjithë në BE duhet të kuptojnë se po kaq rëndësi sa ka BE për Ballkanin Perëndimor, po aq ka Ballkani Perëndimor për BE.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Bruksel me Oliver Röpke, President i Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale (EESC), Věra Jourová, zëvendëspresidente e deleguar e Komisionit Europian të Vlerave & Transparencës dhe Milojko Spajić, Kryeministër i Malit të Zi, Rama u shpreh se, “plani i ri i rritjes është po ashtu një tjetër shembull shumë i rëndësishëm i një shkalle ndërgjegjësimi, i një mënyre ndryshe e të parit të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të tjera kandidate dhe të parit të vetë të ardhmes të BE”.

“Duke thënë të gjitha këto, dëshiroj ta përmbyll duke thënë se së fundi po shohim që BE është shumë më i vetëdijshëm në vepra, jo vetëm me fjalë për rëndësinë strategjike që ka Ballkani Perëndimor për BE-në. Dhe është e trishtë që duhej Vladimir Putini që të ndodhte kjo gjë. Besoj sidoqoftë fort se ne tashmë duhet ta ruajmë këtë ritëm, duke ecur përpara me hapa të guximshëm e të mos presim për një agresion tjetër, për një goditje tjetër, apo një katastrofë tjetër që të na kujtojë pikë së pari, të kujtojë njerëzit në Bruksel sesa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për BE-në”, tha Rama.

“Themi gjithnjë që BE është shumë i rëndësishëm për ne, por të gjithë në BE duhet të kuptojnë dhe duhet ta kuptojnë jo vetëm teorikisht, por duhet të sigurohen që ky ndërgjegjësim të bëhet edhe praktikë, se po kaq rëndësi sa ka BE për Ballkanin Perëndimor, po aq ka Ballkani Perëndimor për BE”, nënvizoi Rama./ata