Këshilli i Ministrave, në vendimin e marrë gjatë mbledhjes së kësaj të mërkure rishikoi numrin e punonjësve të disa ministrive.

Rikonstruktimi i kabineteve vjen pas ndarjes që patën Financat nga Ekonomia dhe bashkimi me këtë të fundit i Kulturës dhe Inovacionit. 

Kështu ministrisë së Financave i hiqen 113 punonjës, të cilët së bashku me 91 të ministrisë së Kulturës do ti kalojnë Blendi Gonxhes në administratën e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Vendimi:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:

  1. Numri i punonjësve të ministrisë përgjegjëse për financat, miratuar në buxhetin e vitit 2024, reduktohet me 113 (njëqind e trembëdhjetë) punonjës.
  2. Numri i punonjësve të aparatit të ministrisë përgjegjëse për kulturën, miratuar në buxhetin e vitit 2024, reduktohet me 91 (nëntëdhjetë e një) punonjës.
  3. Numri i punonjësve rezervë të buxhetit të miratuar për vitin 2024 reduktohet me 71 (shtatëdhjetë e një) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve rezervë në 29 (njëzet e nëntë) veta.
  4. Numri i punonjësve të përmendur në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, alokohet në aparatin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë, kulturën dhe inovacionin dhe numri i punonjësve për këtë ministri bëhet 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) veta.
  5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.