Një ditë pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij për një tjetër mandat, kryebashkiaku Gledian Llatja thekson se kjo mbështetje është nxitje e madhe në projektin për transformimin e Elbasanit.
“Duke ju uruar një të dielë sa më të qetë e të mbarë, më lejoni të ndaj me ju se e konsideroj privilegj dhe vlerësim vendimin e Kryesisë së Partisë Socialiste, që më dha mbrëmë zyrtarisht besimin për të garuar për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Elbasanit. Ky besim është padiskutim një nxitje e madhe për mua dhe skuadrën e përbashkët, në projektin për transformimin e mëtejshëm të qytetit, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e Kryeministrit Rama”, deklaron Llatja në një postim në rrjete sociale.
Ai thekson se në këto katër vite të mandatit që po mbyllet, janë bërë shumë punë për të ndryshuar Elbasanin.
“Rikandidimin e shoh si angazhim jo vetëm për të rinovuar kontratën time me 38479 votuesit e katër viteve më parë, por edhe si garanci për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre, për edhe më shumë punë të mira për qytetin. Rikandidimin e shoh si një mundësi për t’iu shërbyer më tej edhe atyre që nuk më kanë votuar më parë, por nga kontakti i vazhdueshëm me ta në këto vite, kanë kuptuar se e duam dhe punojmë njësoj çdo ditë “me mish e shpirt” për qytetin tonë. Rikandidimin e shoh si një shans për të vazhduar sfidën tonë, për të bërë çdo të ri apo të re, të shohë dhe projektojë të ardhmen e vet me dinjitet në Elbasan”, nënvizon Llatja.
Kryebashkiaku Llatja thotë se Partia Socialiste dhe ai si kandidat i saj, do të angazhohet në këtë fushatë për një betejë qytetare alternativash politike, larg tensioneve, konflikteve shterpë, baltës dhe gjuhës fyese.
“Duke respektuar çdo kundërshtar timin në këtë betejë, do t’iu shtrija dorën e bashkëpunimit për të bërë maksimumin të gjithë, për një fushatë që shkon në një nivel me vlerat, traditat, kulturën dhe qytetarinë e Elbasanit! 14 Maji është dita kur ne do të nënshkruajmë kontratën e re të angazhimit. Jam i bindur se do të jemi më të shumtë në numër, më të bashkuar dhe më të gatshëm, për të vazhduar punët e mira për Elbasanin!”shprehet Llatja.